Majko: Ne do të qeverisim dhe opozita duhet të kthehet në sistem, boll shëtiti rrugëve

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kandidati i PS në Tiranë, Pandeli Majko në mbyllje të fushatës elektorale të PS në kryeqytet, tha se “Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjesh politike ndaj qeverisja e ardhshme nuk vjen si shuplakë, por si një dorë e shtrirë për bashkëpunim dhe për të qeverisur Shqipërinë”.

“Jemi mbledhur me një mesazh të vetëm, na votoni, sepse duke votuar për numrin 12 votoni për mekanizimin më të fuqishëm për të ndryshuar Shqipërinë dhe historinë e saj. Duke votuar 12 ju bëni një shiringë kundër mikrobeve të së ardhmes në kutinë e votimit, ju votoni për një tullë më shumë në shtëpitë e rindërtuara, për një shpresë më shumë në investime, që për të përndjekurit të vazhdojë dëmshpërblimi, që për ish-ushtarakët të rifillojë shpresa, që për pensionistët të rriten pensionet. Këto s’janë vetëm fjalë, por dy mandate të cilat ne kemi hedhur si skeletat e banesa dhe tani ka ardhur momenti që të gjithë bashkë në aleancën me të madhe me qytetarët dhe me dorën drejtuar karshi kundërshtarëve tanë sepse data 25 s’do të ketë vetëm fitimtarët numrin 12, por edhe ata që do jenë humbës”, tha Majko.

Ai shtoi se “ne do të qeverisim dhe opozita duhet të kthehet brenda në sistem. Boll shëtiti rrugëve tani i ka ardhur koha që së bashku t’i përvishemi punës. Socialistët votues dhe ju që akoma e keni me dyzim, a vlen apo jo të votojmë PS, sërish ju them na votoni, sepse do ndryshojmë vetëm për të ndryshuar Shqipërinë”.

“Votoi numrin 1, 2, 3, deri në 36, por mos harroni se cili nga këta numra janë veç emra, 12-ta jemi ne, jeni ju është PS, është e ardhmja e Shqipërisë”, tha Majko.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.