Kushi takim në lagjen “11 Nëntori”: Arsyet pse Elbasani dhe gjithë Shqipëria duhet të votojë PS

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Në një takim të zhvilluar në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan, Evis Kushi u shpreh se ndihet entuziazmi në rritje i qytetarëve dhe besimi i palëkundur se vetëm Partia Socialiste është forca progresiste që ka kurajon dhe vullnetin për të çuar përpara reforma të rëndësishme jo vetëm për Elbasanin, por për të gjithë Shqipërinë.

“Kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjet e 25 Prillit dhe ne jemi shumë optimistë, e ndjejmë frymën e fitores, e ndjejmë mbështetjen. Kudo që shkojmë dhe këdo që takojmë, na buzëqesh. Kudo që trokasim, na hapin dyert. Në çdo takim që organizojmë, na vijnë shumë më tepër nga sa kemi parashikuar. Kështu që, është për ne një përgjegjësi shumë e madhe për t’jua kthyer në punë e në përkushtim këtë mbështetje që po na jepni. Shumë faleminderit të gjithëve!” – tha Kushi.

Ndërkohë, ajo nënvizoi para banorëve edhe arsyet kryesore pse Elbasani dhe gjithë Shqipëria duhet të votojnë PS në zgjedhjet e 25 Prillit:

“Ka shumë arsye pse Elbasani, ashtu sikurse e gjithë Shqipëria, duhet të votojnë Partinë Socialiste më 25 Prill. Jo vetëm për punët që janë bërë deri më sot, por edhe për punët që do të bëjmë për zgjedhjet e 25 Prillit në mandatin e ri të PS. Kemi bërë shumë punë në këto vite, sepse e mbani mend si ishte Shqipëria në vitin 2013, në të gjithë sektorët. Besoj keni qenë në spital në vitin 2013 dhe e keni parë situatën që ishte. Po kështu, i keni parë edhe universitetet që jepnin e shisnin diploma pa vlerë. Por po ashtu edhe në Elbasanin tonë, se sa shumë punë janë bërë në Elbasan përgjatë këtyre viteve. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi akoma shumë punë për të bërë, por kush ka sy të shikojë e kush ka veshë të dëgjojë, patjetër që nuk mund t’i mohojë këto punë që janë bërë!” – u shpreh Kushi në takimin e zhvilluar. /j.p/r,e.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.