Kim: Grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli për mediet në fund të takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

“Takim shumë i mirë me ambasadoren Kim dhe ambasadorin Soreca në lidhje me përgatitjet e procesit zgjedhor të 25 prillit. I informova mbi gjithë masat që KQZ ka marrë në kuadër të këtij procesi. Theksuam së bashku rëndësinë e këtij procesi zgjedhor, të cilësisë së përgatitjes së këtij procesi nga ana e KQZ, trajtuam të gjitha aspektet përgatitore të këtij procesi për të parë qartësisht cilësinë e këtyre përgatitjeve dhe për të konfirmuar edhe njëherë nga ana ime se çfarë KQZ ka bërë në lidhje me këtë proces shkon e gjitha në interes të votuesve shqiptarë dhe të garancisë absolute të integritetit të procesit”, tha Celibashi.

Nga ana e tij, ambasadori Soreca tha se u diskutua situata me përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Komisioneri na tregoi situatën deri më tani, të gjitha përgatitjet, aspektet e ndryshme përgatitore për zgjedhjet. Po ashtu na foli për përgatitjet për identifikimin biometrik, për votimin dhe numërimin elektronik. Gjërat janë pothuajse gati, dhe Komisioneri ka besim se gjithçka do jetë gati ditën e zgjedhjeve. Një aspekt tjetër ka qenë dhe edukimi i votuesve, i zgjedhësve. Është një gjë që është bërë në mënyrë shumë të mirë dhe dëshirojmë në fakt që të përgëzojmë komisionerin e zyrën e tij”, tha Soreca.

Ambasadori Soreca u bëri apel shqiptarëve që të marrin pjesë në votimet e 25 prillit.

“Apelojmë gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë, të ushtrojnë të drejtën e tyre, sepse është e ardhmja e tyre. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme dhe BE po ju ndjek në të 60 bashkitë e Shqipërisë. Ajo çfarë ndodh në Tiranë dhe në Shqipëri, do jetë e rëndësishme për BE, Shqipëria është një vend kandidat. Është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë ditën e dielë në Shqipëri”, theksoi Soreca.

Pas takimit me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, u bëri thirrje udhëheqësve të politikës shqiptare, që të sigurojnë një proces të qetë zgjedhor më 25 prill.

“Po përsëris edhe një herë falenderimet që ambasador Soreka ka shprehur per kryekomisionerin Celibashi dhe ekipin e tij pas kësaj konference para zgjedhjeve. Presim me padurim të shohim një proces elektoral të qetë dhe të rregullt, që garanton të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të shprehur vullnetin e tyre me anë të votës. Është ndërtuar një proces shumë transparent dhe autoritetet janë të përgatitura për të mbrojtur votën. Miqtë tuaj të komunitetit ndërkombëtar janë këtu për të garantuar mbarëvajtjen e procesit”, tha Kim.

“Profesionistët e ODHIR, ekspertet janë këtu dhe përtej kësaj, unë do jem pjesë e një prej 25 ekipeve të ambasadës amerikane që do të lëvizin kudo në vend. Pra ne do të jemi me ju, do të jemi me ju teksa votoni, do të jemi me ju gjatë numërimit dhe çertfikimit të votave”, deklaroi ambasadorja.

Po ashtu, ambasadorja e SHBA-së shprehu shqetësim për ngjarjen në Elbasan.

Të gjithë jemi shqetësuar nga lajmi që kemi parë ne 24 orët e fundit.Tashmë i keni dëgjuar deklaratat e mia për këtë ngjarje. Autorët duhet të kapen dhe të dënohen me fuqinë e ligjit. Nuk duhet të ketë përjashtime, trajtime të diferencuara, askush nuk është mbi ligjin. Ashtu si shumë persona janë shprehur zgjedhjet e 25 prillit vendosin për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Ngjarjet e shëmtuara nga e shkuara duhen lënë pas, gjëra të tilla si grupe të armatosura të paautorizuara, jo zyrtare, që mbrojnë votat e qytetarëve, i përkasin të shkuarës, nuk kanë vend në të ardhmen, nuk kanë lidhje me një vend që është anëtar i NATO-S dhe që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Është detyra e drejtuesve duke nisur nga ata që janë në nivelet më të larta, të tregojnë përgjegjësi, të garantojnë qetësi dhe jo të nxisin dhunë dhe frikë. Po i ndjekim me shumë vëmendje veprimet e ndërmarra nga të gjithë kryetarët e partive dhe po e shfrytëzoj këtë mundësi për të falenderuar kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së Basha per deklaratat e tyre ku u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, të refuzojnë e dhunën dhe të votojnë në 25 prill. Më lejoni të them atë që e kam thënë që në krye të herës kur kam mbërritur në Shqipëri, per votuesit shqiptarë, teksa shkoni për të votuar, ju nuk jeni vetëm, miqtë tuaj janë me ju, ne jemi me ju”, u shpreh Kim.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.