Këlliçi padit në SPAK kreun e Vaqarrit/ Myrto: Ushqimet po shpërndaheshin nga shoqata “Firdeus” për iftar

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati i PD për Tiranën Belind Këlliçi dorëzoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër kryetarit të njësisë administrative të Vaqarrit, Gentian Myrto, për krim zgjedhor, korrupsion aktiv dhe pasiv zgjedhor.

Gjithçka ndodhi mbrëmjen e djeshme kur ishte parashikuar shtrimi i një iftari për banorët e lagjes Ibra në Vaqarr, por mbështetës të PD, me në krye Florenc Hoxhën, kanë ndaluar shpërndarjen e ushqimit.

Lajmin e ka bërë të ditur administratori i Vaqarrit, Gentian Myrta i cili shprehet i habitur nga kjo sjellje e tyre duke iu mohuar besimtarëve ushqimin në këtë muaj të shenjtë.

“100 banorë të lagjes Ibra, në Vaqarr, sot presin të çelin iftarin, falë dhe bujarisë së shoqatës Firdeus. Por dhuna e ushtruar nga Florenc Hoxha dhe “krushqit e tjerë të inatosur” të shpurës së dhëndrit Basha, ndaj djemve shërbëtorë, e ka ndaluar shpëndarjen e ushqimit. Marrëzia e presidentit nuk ka fund. Si mundet t’u mohosh besimtareve bujarine e Zotit? Apo edhe iftari duhet shperndare me dekret presidencial?”, u shpreh Gentian Myrta.

Ndërkaq, Këlliçi i ka kërkuar SPAK të kryejë detyrën dhe të hetojë plotësisht ngjarjen.

“Kam bërë detyrën time ligjore, kam dorëzuar së bashku me zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike, kallëzimin penal për hetimin e kësaj ngjarje. Provat dhe materialet që ne kemi depozituar për të bërë transparencë për publikun, për të patur më të fund zyrtarë të cilët shkojnë para drejtësisë dhe ndëshkohen”, tha Këlliçi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.