Karçanaj: e-Albania aleati më i madh i biznesit. Tatimorët dhe inspektorët, pjesë e së shkuarës

“131,090 biznese janë regjistruar në e-Albania duke kursyer 178 vite kohë në radhë për vërtetime, leje e licenca të ndryshme”

TIRANË, 22 prill/ATSH/- “Aleati më i madh i biznesit në Shqipëri është e-Albania. Portali unik qeveritar ka siguruar që biznesi të mos ketë asnjë kontakt me zyrat e shtetit duke i mbrojtur nga rryshfeti”.

Kështu shprehet drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj teksa sqaron ciklin që kryen një biznes sot, në e-Albania.

“Në e-Albania nis biznes, paguan detyrimet, merr vërtetime, kryen veprime përmbarimore, dorëzon balance, kryen autorizime doganore apo aplikon për leje dhe licenca”.

Karçanaj publikon edhe shifrat konkrete të përfitimeve të biznesit falë përdorimit të e-Albania.

“131 092 biznese janë regjistruar në e-Albania, të cilat marrin shërbime të përditshme dhe që vetëm për lejet dhe licencat regjistrohen 148,144 aplikime online, duke kursyer 178 vite kohë në radhë”, sqaron Karçanaj.

Si një nga përfituesit më të mëdhenj, aktualisht biznesi mund të aplikojë në platformën e-Albania për 725 shërbime publike, direkt nga zyra përmes kompjuterit apo smartfonit, duke eliminuar burokracitë dhe takimet e panevojshme fizike me përfaqësues të institucioneve shtetërore.

“e-Albania hoqi qafe zyrtarët e panevojshëm që shqetësonin biznesin për çdo dokument të nevojshëm në zyrat e shtetit. Së shpejti, tatimorët dhe inspektorët do jenë pjesë e së shkuarës”, përfundon Karçanaj, e cila fton qytetarët të njihen me kontributin e vërtetë që e-Albania ka në raport me biznesin, për qindra shërbime që sot merren online, në kohë reale, me vulë dhe nënshkrim elektronik.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.