FOTOGALERI/ATSH sjell pamje nga brenda Spitalit Rajonal Memorial Fier, pajisje biomjekësore të standardeve më të mira

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Spitali Rajonal Memorial në Fier, një financim prej 70 milionë euro, i cili u realizua me mbështetjen qeverisë turke dhe u ndërtua në një kohë të shkurtër tremujore, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut, me një kapacitet prej 150 shtretërish.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell pamje nga brenda spitalit që pritet të mbulojë me shërbime banorët e qarqeve Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, duke qenë për ta një mundësi shërbimi pranë vendbanimit të tyre, pa qenë nevoja të drejtohen për në Tiranë.

Spitali Rajonal Memorial Fier do të ofrojë shërbimet e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.

Spitali është i pajisur me një infrastrukturë moderne me pajisje biomjekësore të standardeve më të mira, dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet e radiologjisë, duke filluar nga skaneri, rezonanca, angiografia, por do t’i shërbejë gjithashtu edhe kërkimit shkencor.

Spitali ka një staf prej 398 të punësuarish, ndërsa 56 prej tyre janë staf i huaj turk, të cilët do të shërbejnë për një periudhë tranzitore për të bërë të mundur transferimin e dijeve dhe të teknologjisë.

Spitali i Fierit është pjesë e rrjetit të spitaleve publike, por ndryshe nga ta, për herë të parë do të pilotohet autonomia spitalore, për t’u shtrirë më pas në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Karta e Autonomisë do të jetë instrumenti i vetëm ligjor dhe rregullativ që do të përcaktojë kriteret dhe rregullat e aplikimit të autonomisë spitalore.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.