Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë gati 76 % të vëllimit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 63,5 %, të gjithë tregtisë.

Sipas raportit të INSTAT, në periudhën janar – mars 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,4 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 32,5 %, Turqia me 7,6 %, Greqia me 7,4 % dhe Kina me 7,0 %.

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 16,4 %, Kosova me 35,5 % dhe Greqia me 53,2 %.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë  Spanja me 15,6 %, Mbretëria e Bashkuar me 27,2 % dhe Ukraina me 14,9 %.

Ndërkohë, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 27,2 %, Turqia me 36,9 % dhe Kina me 31,6 %.

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë Gjermania me 5,4 %, Zvicra me 11,9 % dhe Rusia me 51,7 %.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.