Dita Botërore e Tokës/ Krifca: Me mbështetjen e AZHBR shtohen 12 mijë ha sipërfaqe të mbjella

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Në Ditën Botërore të Tokës, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bëri të ditur shifrat në rritje të sipërfaqeve të tokës së mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore, apo pemë të ndryshme pyjore që i shërbejnë zhvillimit të jetës dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Kur i shërbejmë tokës, i shërbejmë jetës”, – shprehet Krifca.

“22 prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës dhe si një zile kujtese e vazhdueshme për mbrojtjen e mjedisit na lajmëron se sa e rëndësishme është të mendojmë ekologjikisht. Në funksion edhe të këtij misioni ajo çfarë mund të bëjmë dhe kemi bërë është t’i japim tokës jetë, duke i shtuar bimët”, – tha ajo.

Krifca bëri të ditur se, “me mbështetjen e AZHBR janë shtuar 11.951 ha sipërfaqe të mbjella, nga të cilat 358 ha janë pemëtore, 1298 ha ullishte, 362 ha arrore, 245 ha me vreshta, 80 ha me agrume, 917 ha janë modernizuar duke shtuar ujitjen me pika, 598 ha në serra, 2080 ha sipërfaqe në bimë mjekësore dhe 265 ha të shtuara në ferma organike. Ndërkohë, kemi mbështetur shërbimet mjedisore duke përmirësuar pyjet në një sipërfaqe prej më shumë se 4880 hektarë. Pyllëzimi është shtuar me 431 hektarë, ndërsa kullotat janë përmirësuar me 437 hektarë”.

“Për t’u kujdesur për planetin tonë, ne kemi nevojë për çdo orë e çdo ditë. Duaje tokën, edhe duke e mbjellë”, – tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.