Çela: Menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të procesit zgjedhor kanë marrë një sërë masash administrative dhe procedurale për periudhën para dhe paszgjedhore, për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i është drejtuar sot përmes një mesazhi drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejtë përgjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.

“Nga ana e drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejtë përgjatë procesit, duhet të tregohet profesionalizëm dhe angazhim maksimal në përmbushjen e detyrave të tyre. Është thelbësore të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin e zgjedhor, përmes hetimeve të shpejta dhe të plota, të bashkëpunohet ngushtësisht me të gjitha agjencitë ligjzbatuese si dhe të koordinohen veprimet hetimore me Prokurorinë e Posaçme kur do të rezultojë e nevojshme për shkak të kompetencës lëndore”, thuhet në mesazh.

“Nga ana juaj pritet që të vini menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që përmes veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme nga ato që parashikohen nga Kodi Penal do të tentojë apo do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor. Çdo zvarritje apo mungesë veprimi në hetime është e dëmshme dhe nuk do të tolerohet! Nga ana e prokurorive të merren të gjitha masat që përveç sa më sipër, të sigurohet transparencë e plotë e veprimtarisë në përputhje me ligjin. Qytetarët shqiptarë presin prej jush të tregoni kurajo dhe vendosmëri, duke kryer detyrën në paanësi dhe pavarësi të plotë, ashtu si ua garanton ligji dhe kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ju do të keni të gjithë mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm në përmbushjen e funksioneve tuaja”, shprehet Prokurori i Përgjithshëm në deklaratë e tij për mediat.

Sot, Prokurori i Përgjithshëm zhvilloi një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim me të cilën diskutuan rreth masave që ka marrë dhe do të marrë Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar zbatimin e ligjit ndaj kujtdo që do të cenojë procesin zgjedhor përmes veprave penale. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.