Basha: Reforma në drejtësi dështoi. Do e mbrojmë votën, siç kemi bërë dhe siç do të bëjmë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi sot se “shqiptarët do të kenë një Reformë në Drejtësi të standardeve perëndimore, ne jemi garancia e vetme që reforma të mos pengohet më, një rol ka politika të mos fut duar në Reformën në Drejtësi, unë do ta garantoj këtë”.

Në një intervistë televizive kryetari Basha tha se “nuk jam një kryeministër që rri gjithë ditën me krimin e organizuar se e di që do të humb zgjedhjet. Do të marrim çdo vendim të nevojshëm që reforma në drejtësi të zbatohet siç u konceptuar me 22 korrik 2016”.

I pyetur nëse ka besim tek drejtësia kryetari Basha tha se “jo, unë besoj se drejtësia është kapur nga politika. Besoj se reforma në drejtësi ka mbetur në vend për shkak të Edi Ramës, dështoi edhe Reforma në Drejtësi. Më 25 prill vota për numrin 9 do të mundësojë që Reforma në Drejtësi të avancojë do të kryhet sipas kritereve perëndimore, edhe ekonomia. Nuk kam ardhur të bëj komentet e askujt”.

Më tej Basha tha se “Kryeministri në ikje merret gjithë kohës me kandidatin për kryeministër dhe s’ka asnjë përgjigje për një pyetje: Kishe 8 vite pushtetin dhe nuk mbajte asnjë premtim të vetë, pse i shmangesh, siç i është shmangur kërkesës time për debat”.

“Rama do të na tërheq në një betejë që është për mua dhe për të, por në fakt nuk bëhet as për mua as për të. 25 prilli bëhet nëse do ti japim vendit mundësitë e investimeve, që do të ulen taksat, që të mos jemi në krye të listës së botës për çmimin e naftës, do subvencionojmë fermerët, a do të arrijmë të mbajmë këtu të rinjtë. Këto janë dilemat që shqiptarët mund ti përgjigjen më 25 prill. Do vazhdojnë edhe 4 vite të tjera të mbushura me dështime? Gjithë fushata ime është fokusuar te e vërteta e thjeshtë: Nuk bëhet për mua as për Ramën, por për qytetarët”, – tha Basha.

I pyetur a do ta pranoni rezultatin e zgjedhjeve, Basha tha se, “nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse largimi i Ramës. Nuk ka rezultat humbës për PD, PD do ti fitojë thellë këto zgjedhje, koalicioni ynë do ti fitojë thellë këto zgjedhje, do të jem kryeministër i çdo shqiptari. Edhe Edi Rama e di që ka humbur. Incidente të blerjes së votave i bën një i dëshpëruar. Më 25 prill përgjigjen do ta marrin në kutitë e 25 prillit”.

Ndërsa i pyetur lidhur me deklaratën e tij se çdo të thotë se do e mbrojnë votën me çdo çmim, Basha tha se “kjo do të thotë që shqiptarët ta mbyllin derën e tranzicionit do votojnë të lirë dhe do shprehin vullnetin e tyre”.

“Ju thoni ne refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë me çdo çmim, për çfarë çmimi e keni fjalën?”, u pyet Basha në studion televizive.

“Siç kemi bërë dhe siç do të bëjmë. Duke bërë thirrje për dalje masive dhe për votime për ndryshimin”, tha ai.

/k.s/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.