Basha në mbyllje të fushatës në Fier: Të dielën sjellim fitoren më të madhe

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur edhe në qytetin e Fierit për të zhvilluar fushatën përmbyllëse.

Në fjalën e tij para qytetarëve fierakë, Basha tha se Edi Rama fajëson këdo në vend që të ndal shitblerjen e votës, e mbajti Shqipërinë prapa dhe lekët e shqiptarëve ua dha oligarkëve. Kreu i opozitës gjithashtu u shpreh se e diela është dita e fitores më të madhe dhe ftoi të gjithë qytetarët të votojnë masivisht numrin 9 që Shqipërisë t’i rihapet rruga për në Bashkimin Europian, vendeve të reja të punës, pagave më të larta, arsimit më të mirë, shpresës dhe sigurisë për të gjithë shqiptarët.

“25 prilli, e diela e pas 3 ditëve nuk do të  jetë e diela e asnjë partie, e asnjë politikani por do të jetë e diela e çdo shqiptari, e të gjithë shqiptari, e çdo fieraku, e të gjithë fierakëve e diela e ndryshimit duke votuar numrin 9. Fieri do të votojë numrin 9, Fieri i vuajtur, i përdhosur kjo qendër e jashtëzakonshme urbane në mes të asaj që duhej të ishte kopshti më i gjelbëruar i pasurisë shqiptare të Myzeqesë, që sa herë kam ardhur këto 8 vite në qytetin tuaj, në shtëpitë tuaja, në fshatrat tuaja, në sipërmarrjet tuaja  në fermat tuaja e ditë pas dite e javë pas javë, muaj pas muaji 8 vite me radhë e kam parë dhe e kam ndjerë dhimbjen dhe vuajtjen e dështimit. Sepse 8 vite dështime ju kanë ardhur në majë të maj të hundës. Ju kanë drobitur zemrat e plagosura nga largimi i rinisë. Tek vija këtu shihja në fytyrat e çdo të riu dhe të reje, në fytyrat e prindërve tuaj o rini e mrekullueshme e Fierit. Gëzimin dhe besimin tek fitorja që po vjen. Po pash edhe lot, nuk e di a janë lot gëzimi, a janë lot gëzimi o vajzë e re, apo janë lotët e vuajtjeve që kujton për 8 vitet e kaluara? Në qoftë se është kjo e dyta, fshiji lotët. Fshiji lotët se të dielën po vjen ndryshimi! Ky qytet nuk është i atij që për 8 vite nuk bëri asgjë, i atij që rrënoi pensionistët, shkatërroi arsimin, largoi fierakët, largoi të rinjtë dhe të rejat tona, të fejuarit dhe të fejuarat i ndau, ndau familjet në mes, qytetin me emigracionin më të madh në Shqipëri. Nuk i takon Edi Ramës, oligarkëve dhe bandave të tij. Ky është Fieri i fierakëve, është Fieri juaj dhe të dielën do ta merrni atë që ju takon me votën tuaj për numrin 9! 9 për ndryshim. 9 për të sjellë përsëri ekonominë e zhvilluar, arsimin për një nga qytetet dhe qytetarët më arsimdashës të Shqipërisë”, tha ai.

Ai tha se të gjithë bashkë, në një bashkëjetesë perfekte dhe harmonike, duke nderuar djersën e ballit, punën tuaj, do të rikthejmë gëzimin në zemrat e prindërve tanë, buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve tanë.

“Lotëve që janë derdhur si uji i Gjanicës, për vuajtjet e 8 viteve, për naftën që jo vetëm nuk u lirua, por u bë më e shtrenjta në botë. Për të vetëvrarët nga faturat e energjisë, për të vetmin pjesë të kombit shqiptarë  ku fermerët nuk marrin subvencione dhe ju kalben prodhimet, për vuajtjet e naftëtarëve, nënave, bashkëshorteve të tyre, për dhimbjen të patregueshme të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm dhe sipërmarrësve të mëdhenj të Fierit teksa detyroheshin të largonin nga puna prindërit fierak, të cilët zbrazin tavolinat nga fëmijët e tyre, për t’i dhënë fund një herë e mirë njeriut që 8 vite nuk bëri asgjë e sot ka guximin të trokas përsëri në portat e Fierit. Fieri ja ka mbyllur portat të keqes, Fieri ja ka hapur emrin ndryshimit, ndryshimit me votën për numrin 9. Ditën e diel, për të ardhmen e fëmijëve tanë, numrin 9. Për subvencionet e Myzeqesë, për ta kthyer me të vërtetë gjelbërimin e Myzeqesë në pasuri për ta dhe për të gjithë fermerët dhe për agrobiznesin, për qytetet tona votoni numrin 9. Për të çliruar pensionistët nga ankthi i numërimit të qindarkave të fundit, pasi paguajnë faturat e energjisë, pasi paguajnë ilaçet e kripura, për t’ju dhënë bashkë me pensionet e rritura, dinjitetin që meritojnë vendin e tyre në krye të sofrës dhe të shoqërisë, votoni numrin 9. Për t’i dhënë mundësi rinisë fierake, rinis të mrekullueshme të këtij qyteti, të këtij qarku që zemrat e tyre, mendjet e tyre, ëndrrat e tyre të rrahin bashkë e afër me ato të prindërve të tyre, për të mbyllur plagën e emigracionit dhe për të sjellë këtu në Fier Europën, investime europiane, vende pune të reja, pagat më të mira, siguri për jetën, siguri për të ardhmen, për të hapur rrugën europiane të Shqipërisë ditën e diel votoni numrin 9”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.