Balluku: Mandati për PS për ndërtimin e aeroporteve e çdo shtëpie, për të ardhmen e Shqipërisë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kandidate e PS-së në qarkun Tiranë, u shpreh se “jemi këtu sot pas një muaji të gjatë fushate, por ne nuk e bëjmë punën se jemi në fushatë, por ne bëjmë punën se dimë të punojmë natë e ditë, në shi e diell, kurdo që duhet dhe kudo që duhet”.

Në fjalën e saj në takimin përmbyllës elektoral të PS-së në Tiranë Balluku tha se, “ne jemi ndryshe nga ata. Ne nuk dimë të tallemi me njerëzit, bëjmë premtime dhe mbajmë premtime dhe dimë të zgjidhim problem dhe jemi në krye të emergjencave, në krye të çdo halli, ashtu siç thotë edhe kryeministri Rama, ne dimë t’i gjendemi njerëzve kur kanë halle”.

“25 prilli do të jetë një ditë e shënuar për të gjithë Shqipërinë, sepse mandati i PS, është për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, është për të ndërtuar portet e aeroporte si ai i Kukësit, ku pamë avionin tonë ‘Air Albania’ të ulet. Gjithashtu, për të ndërtuar kopshte e shkolla, shtëpitë e çdo shqiptari që humbi shtëpinë e tij gjatë tërmetit të nëntorit, për të ndërtuar gjithçka që kemi premtuar. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, për fëmijët tanë, prindërit tanë”, – tha ajo.

“Në datë 25 prill ne patronazhistët më të mirë të Ballkanit, ne që dimë të patronazhojmë nga nëna te baballarët tanë, tek të njohurit tanë, ne që dimë të patronazhojmë edhe ata që kanë humbur rrugën dhe e çojnë votën kot, në datën 25 të gjithë së bashku në kutitë e votimit për t’iu përgjigjur me votë çdo fjale dhe balte apo akti të neveritshëm që ul imazhin e Shqipërisë, të gjithë bashkë për PS, për Edi Ramën, për Shqipërinë”, – deklaroi Balluku. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.