Ambasadorja Kim takon kryeprokurorin Çela: Ata që pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka përcjellë sot mesazhin e Shteteve të Bashkuara se “ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen plotësisht”.

Ambasadorja Kim e ka përcjellë mesazhin në një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela ndërsa pritet të takojë së shpejti shefin e SPAK-ut, Kraja. Ajo takoi të hënën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe në të tre takimet ka përcjellë mesazhin e Shteteve të Bashkuara.

“Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen penalisht në mënyrë të plotë. Asnjë trajtim të posaçëm. Asnjë përjashtim. Askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh Kim.

Edhe më herët ambasadorja Kim por edhe anëtarë të tjerë të Trupit Diplomatik në Tiranë kanë apeluar për shprehjen e plotë dhe të lirë të vullnetit të qytetarëve në zgjedhje. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.