Akuzat për blerje votash/ Strategji për të ndotur procesin dhe PS-në nga ata që i kanë duart me gjak

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, akuzat për blerje vote i bëjnë ata të cilët sot i kanë duart me gjak, kanë vrarë një njeri.

Në një intervistë televizive, i pyetur për një ngjarje të ndodhur në Dibër për shitblerje vote, Rama tha se, “e gjithë kjo skenë është një tjetër aryse pse shqiptarët në 25 prill duhet të votojnë masivisht për PS”.

“Këto skena janë skena që Shqipëria i ka parë shumë kohë më parë dhe po kthehen nga e njëjta forcë, nga PD”, theksoi Rama.

“Akuzat që ngrihen janë pjesë e të njëjtës strategji që vazhdon për të ndotur maksimalisht me çdo çmim procesin dhe natyrisht PS-në. Ndërkohë që ata të cilët bëjnë akuzat sot i kanë duart me gjak. Kanë vrarë një njeri. I kanë marrë jetën një njeriu dhe është plagosur një efektiv policie”, theksoi Rama.

Duke iu rikthyer ngjarjes në Dibër, Rama tha se, “sapo policia është lajmëruar ka shkuar në vendngjarje, ka marrë edhe prokurorinë, ka shkuar edhe prokurori përkatës. Ka vajtur policia, ka vajtur prokuroria dhe personat janë ndalur dhe aktualisht që flasim janë në prokurori. Por gjyqin atyre në media mund t’ia bëjnë vetëm ata që kërkojnë rrumpallë, sepse personat janë në Prokurori. Do të flasë Prokuroria, do të flasë Policia dhe cilëtdo që të jenë ata të shkojnë aty ku e kanë vendin, në qoftë se provohet. Ata do të flasin kur  e kanë ata kohën për të folur, jo kur e doni ju. Personat që janë kapur janë të ndaluar dhe po investigohen”.

“Kjo është një çështje e drejtësisë. Dhe ajo që është skandaloze, që është e frikshme dhe që shqiptarët duhet ta shkelmojnë me forcë në 25 prill, janë këto lloj strukturash paramilitare që paralajmërojnë ekzaktësisht atë që do të ndodhte sikur PD të vinte në pushtet”.

I pyetur për përgjimet në Dibër, Rama u shpreh se, “përgjimet nuk janë një element që mund të shërbejë për gjyakata popullore. Përgjimet janë element të një procesi drejtësie. Dhe po të njoftoj që procesi i drejtësisë mbi dosjen e Dibrës ka çuar në burg mbi 20 veta sot që flasim. Dhe po të njoftoj që ndër ata 20 veta janë përfshirë të gjitha partitë dhe po të njoftoj dhe këtë që shumica e atyre 20 vetave nuk janë të PS”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.