​Osmani pas takimit me Maas: Dialogu ka nevojë për një rishqyrtim dhe jo vazhdimësi

PRISHTINË, 22 prill/ATSH/- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me kryediplomatin gjerman, Heiko Maas ka deklaruar se temë themelore e diskutimit ka qenë sigurimi i vaksinave, liberalizimi i vizave, dhe dialogu me Serbinë.

Për këtë të fundit, Osmani në një konferencë për medie tha se është e pashmangshme arritja e një njohje reciproke.

“Prioriteti themelor i institucioneve tona është menaxhimi i pandemisë. E falënderova ministrin për ndihmat në kuadër të Covax, por akoma është përqindje e vogël. Shpreha interesimin ta vazhdojmë bashkëpunimin për të pas mbështetje edhe ne të ardhmen me Gjermaninë pasi vaksinat janë të nevojshme. Çështja e dytë është liberalizimi i vizave për Kosovën, tani presim nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta përmbushin premtimin e tyre. Çështja e tretë që diskutuam ishte procesi i dialogut me Serbinë. Natyrisht në këto rrethana është e rëndësishme të merremi me menaxhimin e pandemisë, pasojat e tyre, papunësinë, ashtu dhe sundimin e ligjit. Por dialogu me Serbinë është proces që Kosova ka qenë e angazhuar që nga fillimi, edhe pse për fat të keq Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë. Për neve ky proces i dialogut ka nevojë për një rishqyrtim dhe jo vazhdimësi. Presim që ky proces të përfundojë me njohje reciproke”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.