Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Policia: Arrestohet autori ish-efektiv policie, disa të shoqëruar

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Policia e Shtetit ka dhënë informacionet paraprake zyrtare lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Elbasan ku u vra Pjerin Xhuvani dhe mbetën të plagosur tre persona, mes të cilëve edhe një efektive e policisë.

Policia deklaroi se u bë e mundur vënia në pranga e autorit të vrasjes, ish-punonjës police.

Në njoftimin për mediet, Policia e Shtetit thekson se “më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, në lagjen “5 Maji”,  Elbasan, gjatë një konflikti është vrarë me armë zjarri shtetasi P. XH., si dhe janë plagosur shtetasit  E. P., P. V. dhe E. B. Gjithashtu, në përpjekje për të parandaluar krimin është plagosur edhe punonjësja e Policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, XH. S”.

“Menjëherë në ndihmë të patrullës kanë shkuar shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Elbasan, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset  rrugore  në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit. Gjithashtu, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë të hetimit të krimeve kundër personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, të Drejtorisë sē Krimeve Kundēr Personit e Pasurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijon intensivisht puna për fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes”, thekson policia.

Në njoftim bëhet me dije se “ndërkohë janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen, si dhe është bërë e mundur vënia në pranga e autorit të vrasjes, shtetasi A. P., ish punonjës police. Vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje”.

56-vjeçari Pjerin Xhuvani ka qenë drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit e më pas drejtor i Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në vitin 2015, ai u arrestua për abuzime me skemën e rimbursimit të ilaçeve pasi akuzohej se i shkaktoi dëm financiar shtetit prej rreth 500 mijë euro.

Më parë ka qenë kryetar i LSI-së në Elbasan për të cilën ka kandiduar si deputet dhe më pas u angazhua me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Mediet raportuan se autori i vrasjes së Pjerin Xhuvanit quhet Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEAS, shoqërues i sekretarit të përgjithshëm të PD-së, drejtues politik i PD-së në Elbasan, Gazment Bardhi.

Siç edhe mediet raportojnë, Paplekaj ka dalë nga një furgon i PD-së dhe ka qëlluar në drejtim të vendit ku ka qenë Xhuvani ndërsa pasi është ndaluar ka pranuar krimin duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.

Në prononcim për mediet në vendin e ngjarjes, Bardhi tha se “nuk kam shumë informacion, makina që shikoni atje është e mbushur me karta identiteti dhe para e drejtuar nga prej eksponentëve të krimit të organizuar dhe trupin e shihni vetë atje. Kaq kam për të thënë, janë një grup personash, shtabi elektoral i vertetet i Taulant Ballës”.

(vijon…)

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.