Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Balla: Grupe paramilitare nga qytete të tjera në Elbasan, PD dhe Meta të heqin dorë nga ky përshkallëzim dhune

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i PS-së, njëherazi drejtuesi politik i kësaj force politike në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, ka vizituar në spitalin e Elbasanit, efektiven e plagosur të forcave “Shqiponja”, Xhensila Sota.

Balla ka parë nga afër gjendjen e efektives Xhensila Sota, e cila ka marrë një plumb në këmbë.

Fatmirësisht efektivja është jashtë rrezikut për jetën dhe sipas mjekëve gjendja e saj është e mirë.

Punonjësja e Policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xhensila Sota mbeti e plagosur në ngjarjen e ndodhur sot në Elbasan ku u vra Pjerin Xhuvani. Ajo ishte efektivja e parë që shkoi në vendin e ngjarjes pas të shtënave me armë.

Më pas, Balla është shprehur se “jam angazhuar qysh prej marrjes së lajmit për vrasjen makabër në mes të Elbasanit, që të kontaktoj me të gjithë organizatat socialiste të qarkut për t’u kërkuar të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e një politike provokatorësh, shpifësish, humbësish që kanë mësyrë në Elbasan me skalionet e Partisë Demokratike dhe që qysh ditën e parë e shfaqën fytyrën e fushatës së tyre me provokimin skandaloz të Ditës së Verës! Kjo e sotmja është vetëm një përshkallëzim ekstrem i atij dëshpërimi të madh që materializohet çdo ditë në shpifjen e përsëritur se Partia Socialiste po i bën të tëra të zezat të cilat në fakt janë ata që i mendojnë, por edhe i bëjnë sa munden, si munden, ku munden”.

“Sot kanë ardhur në Elbasan furgona prej ku grupe paramilitare, njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas për qametet që gjoja i presin pas 25 prillit! Kjo ofensive tejet shqetësuese, për të cilën tanimë flet i madh e i vogël në Elbasan, ka arritur kulmin me masakrën që tashmë e di gjithë Shqipëria! Është vrarë një qytetar autokton elbasanas dhe është plagosur një punonjëse policie. Unë ndjej neveri të thellë të komentoj sot deklaratën e çmendur të drejtuesit të listës së PD! Të cilin në këtë qark e presin vetëm militantët e PD se njeri tjetër nuk ia ka ngenë ta dëgjojë, prandaj ai ka shumë kohë bosh dhe çdo ditë ulet e çon letra me shpifje në SPAK për Partinë Socialiste që medemek po e pengon të takojë popullin”, tha ai.

“Unë po ashtu nuk kam asnjë koment për dinamikën e ngjarjes dhe e falenderoj Policinë e Shtetit për reagimin e shpejtë, duke kërkuar që organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më parë ngjarjen. Ndërsa Partisë Demokratike dhe Ilir Metës i them se duhet të heqin dorë nga ky përshkallëzim dhune. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit për qetësi, durim dhe besim që në 25 prill vota e tyre do të flasë pastër, qartë e prerë për Elbasanin e për gjithë Shqipërinë! Ngushëllime familjes Xhuvani dhe Zoti u riktheftë arsyen atyre qe nuk heshtën dot as përpara një xhenazeje nën këmbët e tyre”, deklaroi Balla

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.