Vlorë, procedohen penalisht një shtetas turk dhe një shqiptar për shitblerje votash. Reagon LSI

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, proceduan penalisht dy shtetas.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u proceduan penalisht shtetasi turk A. B., 23 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasin J. M., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasi J. M. dyshohet se në kohë të ndryshme ka marrë një shumë lekësh nga shtetasi A. B., për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote në zgjedhjet parlamentare 2021.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mediet kanë publikuar foto të Abdulgafur Balikçi, 23 vjeç, i cili gjatë fushatës elektorale të LSI-së në Vlorë ai është takuar edhe drejtuesin politik të qarkut dhe kryesuesin e listës së LSI, Luan Rama.

Në rrjetin social facebook, Luan Rama ka shkruar para disa ditësh, se “Gafuri (Abdulgafur Balikçi) siç dhe i thërrasin është nga Turqia , por është bërë më vlonjat se vetë vlonjatët.

Pas arrestimit nga policia të 23-vjeçarit, ka reaguar Luan Rama i cili shprehet se, “asnjë makinacion, asnjë përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, nuk mund t’i shpëtojë banditët e rilindjes nga humbja e 25 prillit”.

“Manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e radhës që synon të trembë e frikësojë votuesit. Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar, është qytetar shqiptar me origjinë turke që jeton dhe punon ndershmërisht me profesionin e tij si mjek stomatolog, i angazhuar me shumë pasion në radhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, e mu për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi. Organet e zbatimit të ligjit të kryejnë detyrën me korrektësi.
Duke qenë besimplotë se prokuroria do ta zbardhë të vërtetën, besoj se do të marrë në përgjegjësi penale edhe oficerët e policisë që kanë ushqyer portalet me lajme të rreme e politikisht të paragjykuara, duke dëshmuar se militantët e rilindjes në radhët e policisë së shtetit janë një segment kriminal i saj”, tha ai.

“Nëse mjeku Abdulgafur Balikçi apo çdo qytetar tjetër është i implikuar në shkelje të ligjit, le të ndëshkohet sipas ligjit, por këtë nuk mund ta bëjë policia duke shitur lajme të pa konfirmuara nga organi i akuzës dhe të pa vlerësuara nga gjykata”, shprehet ai.

Më 10 prill, policia ka ndaluar në Pukë dy persona për të cilët dyshohet se shpërndanin para dhe u merrnin të dhënat personale dhe numrat e kartës së identitetit qytetarëve të ndryshëm. U procedua penalisht drejtuesi lokal i kësaj partie, Demir Syla, si dhe u vu në pranga Vasil Shabani, i dyshuar si sekser.

Atyre iu gjeten një liste me emrat e 27 votuesve në Pukë, dy fleta të ngjashme me atë të fletës së votimit dhe mbi 5 milionë lekë të vjetra, me te cilët dyshohet se do të blinin votat.

Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në qarkun e Shkodrës reagoi pas ngjarjes së ndodhur në Pukë duke theksuar se “aktivistë të LSI që janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.