Veliaj: Ata po përgatisin alibinë e humbjes, ne do përgatisim sprintin e fitores

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, ka kërkuar që politika të mos përzihet në çështjet e drejtësisë.

Nga eventi i Njësisë 8 drejtuesi i fushatës elektorale për gjithë qarkun e Tiranës tha se Partia Demokratike po kërkon e dëshpëruar alibi për humbjen e 25 prillit duke politizuar si çështjen e patronazhistëve, ashtu edhe ngjarjen e Kavajës.

“Morën këtë alibi se ata e dinë që do humbasin. Ata e dinë që të hënën do zgjohen keq e mos më keq. Morën kulturën tonë të patronazhimit dhe atë informacion e miksuan me ata që vetë e kanë pranuar që e kanë vjedhur nga aleatët, ID kartën. Ne s’i kemi fare këto dhe as na duhen. Por e di ku kuptohet që janë hipokritë? Ne themi, incidenti në Kavajë të hetohet menjëherë! A u zunë për parkingun, nuk u zunë për partinë? A qenkan të dy të djathtë? Le të flasë drejtësia. Të njëjtën gjë themi dhe për këtë, të hetohet. Jo, “po unë nuk ta jap”. Nuk ma jep se ke bërë një kokteil të dy databazave, databazën tonë të njerëzillëkut, të krehjes kapilare të nevojave, të marrëdhënieve njerëzore, trokitjes derë më derë e ke miksuar me atë që vodhe nga aleati. Atëherë do të dalësh para përgjegjësisë. Këta e kanë këtë si alibi. Ajo që bën Ilir Meta që del përditë si i fantaksur, një ditë gjen një fatorino, një ditë gjen një shofer, një ditë si përmbarues zyrash, ditë tjetër si roje parkingu në Kavajë, po përgatisin alibinë e humbjes, kurse ne do përgatisim sprintin e fitores,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se ndihet mirënjohës për çdo demokrat që në njësinë 8, dikur bastion të së djathtës sot me numrin më të madh të socialistëve që i janë bashkuar kësaj partie.

“Më vjen shumë mirë që janë bashkuar këtu sot me ne edhe disa familje të djathta dhe ju them mirëseerdhët në familjen tonë. Unë nuk them që kush voton djathtas sot Lulin dhe Saliun bën tradhti kombëtare, por sigurisht që tradhton familjen e vet. Nëse voton që të rikthehet prapë Shkëlzen Berisha dhe kunati i Lulit, minimalisht tradhton familjen e vet. Kush voton për LSI-në, s’e them që bën tradhti kombëtare, por që sigurisht tradhton fëmijët e vet. Këtu pyetja është kush e do më shumë familjen e vet? Kush bën llogarinë e familjes së vet dhe të fëmijëve? Fëmijët e tyre këta i kanë rregulluar. Njëra palë i ka në Angli, pala tjetër i ka në Hollandë. Kanë prerë dhe biletat për të dielën në darkë, të shkojnë dhe në Angli dhe në Hollandë. Nuk them që kush voton PD dhe LSI bën tradhti kombëtare, por si minimum po tradhton familjen e vet dhe fëmijët e vet, për njerëz që familjet e tyre dhe fëmijët e tyre i kanë rregulluar, por ama kur ne punojmë për të bërë shkolla, kopshte, çerdhe, parqe, lodra, për fëmijët tanë dhe për familjet tona janë gati që t’i sabotojnë,” u shpreh Veliaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.