Tuneli i gjatë sfilitës i pandemisë po shkon drejt fundit

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Lushnja tha se, “vijmë nga një kohë kur gjërat shkuan si mos më keq, pasi u goditëm nga një tërmet katastrofik që la pa çati dhjetëra-mijëra familje, në Shqipërinë e vogël, që nuk është as Turqia apo Italia, në Shqipërinë që natyrshëm mendimi i parë që të vinte ishte: s’ka më jetë për këta njerëz; mendimi i parë kur shikoje ato gërmadha ishte: kushedi sa vite do kalojnë e këta njerëz do të mbeten nëpër çadra e kushedi sesa nga këta fëmijë do martohen e akoma s’do kenë hyrë nëpër shtëpi”.

Por, vijoi fjalën ai, ne u testuam pikërisht për përmasën e karakterit tonë, “sepse nuk ka asgjë të pamundur për karakterin e shqiptarit, kur së bashku bëhen karakteri Shqipërisë”, tha Rama.

Dhe menjëherë, tha Rama, sapo ne morëm frymë, sepse u gjetën rrugët për të filluar rindërtimin, vjen goditja tjetër, një tërmet që futi në krizë superfuqi, sistemet më të zhvilluara të botës.

“Ne qëndruam, dhe sot dielli po lind përsëri, sepse tuneli i gjatë sfilitës i pandemisë po shkon drejt fundit dhe drita në fund të tunelit po zmadhohet përditë”, deklaroi Kryeministri.

Rama tha se megjithëse njihej si i pakënaqur me veten për punën që ai bënte pasi dëshironte gjithmonë më shumë, sërish nuk mund të mendonte të kapte vendin e parë, pasi këtë vendin e kishte zënë Erion Braçe.

“Në kampionatin e të pakënaqurve, maksimumi mund të luftoj për vendin e dytë, se vendin e parë e zë Erion Braçe. Erioni është njeriu më i pakënaqur që unë njoh. Të jenë të bindur edhe ata më të pakënaqurit se nuk janë më shumë të të pakënaqur se Erioni. Por, ky është momenti kur ndahen zgjedhjet që njerëzit bëjnë. Se ka dy mënyra për t’u sjellë me pakënaqësinë, duke iu dorëzuar asaj. Dhe tjetra është rruga e Erionit dhe fatmirësisht e të gjithë atyre që janë, për hir të së vërtetës, njerëzit më të afërt të Erionit për të cilët ai flet me pasionin më të madh e për të cilët ai zihet deri në pikën që më shikon mua nga poshtë dhe matemi a mund të më arrijë grushti apo jo, janë ata atje që gdhihen më herët nga të gjithë në fushat e Divjakës, dalin pa gdhirë e kujdesen për tokën e tyre”, tha Rama.

Sigurisht që ata, tha Rama, janë njerëz të pakënaqur se po të ishin të kënaqur nuk do të zgjoheshin aq herët, e do ktheheshin më herët në shtëpi, ua linin të tjerëve punën.

“Por është qenia i pakënaqur me veten gjatë gjithë kohës që të bën të ngjitesh drejt majës dhe dua tu bëj thirrje gjithë njerëzve të pakënaqur që të bëjnë arsyetimin e ditës së diel e të vendosin nëse pakënaqësia do t’i shtyjë para apo do t’i lërë ulur në vend, pa lëvizur: të bëhet çfarë të bëhet. Jo! Sepse do të bëhet ajo që ne duam e ëndërrojmë”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.