Spitali i Fierit i standardeve më të larta botërore/ Ndërtojmë pranë tij një universitet për ekselentët në mjekësi e infermieri


TIRANË, 21 prill/ATSH/ “Fieri për shkak të spitalit të ri rajonal, punimet për të cilin u mbyllën sot, do të jetë destinacioni i shumë shqiptarëve, por edhe të atyre përtej Shqipërisë, pasi do të ofrohet shërbim i standardeve më të larta botërore”, tha Kryeministri Edi Rama nga Fieri, ku zhvilloi një takim elektoral.

Ndërtimin e një spitali me standarde të tilla, u shpreh Kryeministri, ky qytet, ky rajon e ka pritur prej shumë vitesh. “Që kur jam bërë kreu i PS-së, kur kemi ardhur në Fier për të diskutuar për programin për zgjedhjet e para, të gjithë prioritetin numër një kishin spitalin rajonal. Më vjen mirë që sot Fieri jo vetëm ka një spital të ri rajonal, por sot Shqipëria ka një spital të standardeve më të larta botërore”, u shpreh më tej ai.

Kryeministri theksoi se spitali i Fierit, nuk është i rëndësishëm vetëm për shërbimin për ata që kanë nevojë, por edhe sepse është një qendër e transferimit të dijes, asaj që e bëri Turqinë një vend me një sistem shëndetësor ekselent.

“Në këto 4 vite ne do të bëjmë gjithçka që shëndetësia shqiptare, falë edhe dijes që do të transferohet për sistemin e trupat e kujdesit shëndetësor, nga Fieri do të bëhet një shëndetësi për të cilin do të jemi krenarë”.

Kryeministri u shpreh se, “do të bëhet një sistem shëndetësor, ku tani ne jemi gati të jetësojmë një model të ri administrimi sepse ne tha ai, nuk mund të hynim me një model të ri administrimi me spitale që ishin pa ilaçe, batanije aparatura, kur aparaturat prisheshin me qëllim e rrinin pa punë, ku ishte vërtet një torturë të imagjinoje të hyje”.

“Sot me një infrastrukturë që është në nivelin e duhur për të zbatuar modelin e ri të administrimit, spitalet të bëhen të pacientëve e të gjitha ato bishta që vazhdojnë të shfaqen në jetën e gjithkujt që duan të shkojnë në spital të këputen njëherë e mirë, që fjala ryshfet e korrupsion të jetë e fshirë nga fjalori. Kjo është e mundur sot, sepse falë spitalit të Fierit do të mund të fusim në jetën e spitaleve modelin tjetër të administrimit të burimeve njerëzore e financiare e një sistemi tjetër marrëdhëniesh mes qytetarit e spitalit”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se, “ky spital na jep mundësinë të ëndërrojmë më shumë dhe se pikërisht se kemi këtë qendër ekselence të ndërtojmë pranë saj një universitet për ekselentët në mjekësi e infermieri dhe ai të bëhet edhe një spital universitar”.

“Nuk kam parasysh universitetet që hapeshin në të shkuarën për t’u bërë qejfin komuniteteve të ndryshme për t’i lënë fëmijët rrugëve. Nuk është universitet si ai që premtoi Luli në Peshkopi, që mezi u mbyllëm, se u merrte tërë paratë prindërve për t’i dhënë provimet pa shkuar në mësim. Këta duan ta hapin prapë. Tani zgjedhja është kjo: mes universitetesh që hapen për të rrjepur prindërit apo një universiteti ndërkombëtar me programe, me profesorë të huaj e shqiptarë, dhe një diplome ndërkombëtare e cila nuk vlen për asgjë“, u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë, tha ai, Fieri me këtë spital bëhet një arsye e fortë për të stimuluar më shumë turizmin.

“Me aeroportin e ri të Vlorës që do të jetë në kantier në pak muaj dhe portin e ri turistik të Vlorës ne do të mund të sjellim udhëtarë e turistë të kategorisë më të lartë që vijnë e shpenzojnë shumë, por kushti është një spital me standarde pranë atij territori ku shkojnë, dhe unë jam i bindur se spitali i Fierit do të jetë një magnet për të bindur e tërhequr turistët drejt zonës së jugut, sepse një spital i standardeve më të larta botërore e kanë dy hapa larg”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.