Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi/ Aplikimet e fermerëve u rritën me 80% në vitin 2021

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Fermerët po rrisin interesin për të përfituar subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bën të ditur se, numri i aplikimeve u rrit me 80 % këtë vit, krahasuar me aplikimet e tri viteve të fundit.

Aplikimet për skemat mbështetëse të bujqësisë u çelën më 25 mars deri më 15 prill dhe këtë vit aplikuan 13629 fermerë nga 8386 që ishin vitin e kaluar. Ndërkohë në 2019 për skemat mbështetëse aplikuan 7936 fermerë dhe në 2018 pati 6080 aplikime.

Lista e fituesve është e publikuar në faqen zyrtare të AZHBR. Pas kësaj faze fermerët apo subjektet fituese kanë afat 15 ditë për dorëzimin e dokumentacionit. Skema Kombëtare mbështet 9 masa për fermerë individualë, grupfermerësh, persona fizikë a juridikë dhe SHBB.

1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.

– 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150,000 lekë për subjekt të mbarështimit të bletëve.

– 300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive. Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 200,000 lekë/ha, por jo më shumë se 1,000,000 lekë për fermerët individualë dhe për grup-fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim “SHBB”), jo më shumë se 4,000,000 lekë për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grupfermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.

– 100,000 lekë, në vitin e dytë, 150,000 lekë dhe 200,000 lekë për fermë të certifikuar organike, për periudhën në kalim, vitin e parë.

– 50 % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175,000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha për implementimi dhe certifikimi Global GAP.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjektet në mbështetje për linja/makineri/pajisje për përpunimin, paketimin, standardizimin dhe etiketimin e ullirit, vajit të ullirit, bimëve mjekësore e aromatike dhe qumështit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000, 000 lekë për subjekt në mbështetje të ngritjes ose rikonstruksionit të ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10,000,000 lekë në mbështetje të subjekteve për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.