“Shqipëria sot si lagjet e rindërtimit”/ T’i kanalizojmë të gjitha energjitë në funksion të ndërtimit, jo të shkatërrimit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot Shqipëria është njësoj si lagjet e rindërtimit dhe se të gjitha energjitë duhen kanalizuar në funksion të ndërtimit, jo të shkatërrimit.

Duke folur në një takim me banorë të Fushë-Krujës, Rama tha se, “ku e keni parë, një vend që në një hapësirë kaq të vogël të ketë pasur bekimin e kaq shumë mrekullive të mbledhura së bashku nga dora e Zotit? Një vend kaq i vogël që preket nga dy dete të ndryshëm, njëri më i bukur se tjetri. Një vend kaq i vogël me male, majat e të cilëve e ruajnë dëborën në të 12 muajt e vitit. Një vend kaq i vogël që përshkohet nga kaq shumë lumenj dhe është vendi i dyti më i pasur në Europë për burimet ujore. Një vend kaq i vogël që ka jo vetëm detin, jo vetëm malet, por ka edhe territore fantastitike me kodra, me fusha, me peizazhe, me liqene, njëra më e mrekullueshme se tjetra”.

“Pyetja që ne duhet t’i bëjmë vetes, është pse vallë nuk jemi ende në majën që ne meritojmë dhe në lartësinë e projektit që Zoti pati kur bëri Shqipërinë. Sepse Zoti ia dha Shqipërisë të gjitha, por ka qenë dora e mbrapshtë e robit që përgjatë gjithë historisë tonë e ka penguar këtë popull ta çlirojë deri në fund talentin e vet, të jashtëzakonshme, ta çlirojë deri në fund energjinë e vet të jashtëzakonshme. T’i kanalizojë të gjitha energjitë e njerëzve të këtij vendi drejt të ardhmes, në funksion të ndërtimit, jo të shkatërrimit. Në funksion të paqes, jo konfliktit. Në funksion të fëmijëve dhe jo të interesave të përveçme, që kaq herë në historinë tonë i kanë rrënuar interesat dhe qëllimet e përbashkëta”, tha Rama.

“Sot Shqipëria është njësoj si lagjet e rindërtimit. Ato ende nuk kanë mbaruar. Sot Shqipëria është njësoj si kantieret e shkollave që janë në ndërtim e sipër. Sot Shqipëria është njësoj si kantieret e qendrave shëndetësore, të kopshteve dhe çerdheve që janë në rindërtim e sipër”, theksoi Rama.

Atëherë, shtoi Rama, “pyetja është shumë e thjeshtë. Duke parë se çfarë jemi në gjendje për të bërë këtu në Bashkinë e Krujës, shkolla të cilat kurrë nuk ishin imagjinuar disa vite më parë, janë realitet. Çfarë do bëjmë? Do t’i lëmë në mes. Do t’i lëmë përsëri në duart e mbrapshta, që e kanë provuar dhe e kanë stërprovuar se nuk dinë të ndërtojnë? Do t’i lëmë përsëri rrugëve, njësoj si rrugët që u lanë rrugëve përpara se ne të merrnim detyrën? Do t’i lëmë përsëri në mëshirën e fatit të keq që i ka ndjekur dhe i ka persekutuar shqiptarët sa herë kanë shkuar pas berihait dhe i kanë rënë rrugëve të shkurtra të nxjerrin gjatë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.