“Rruga e shkurtër të nxjerrë gjatë”/ Duan ta pengojnë këtë popull që të ngrihet në lartësinë e projektit që Zoti deshi për Shqipërinë

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shqiptarët janë tërhequr në momente të ndryshme të historisë së tyre nga figura që i kanë thënë të zgjidhin rrugën e shkurtër, por që i ka nxjerrë më gjatë.

Duke folur në një takim me banorët e Fushë-Krujës, Rama tha se, “merreni me mend asnjë popull, në asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe nuk e ka shprehjen rruga e shkurtër të nxjerrë gjatë. Pse vallë populli ynë nuk ka qenë i detyruar ta thotë këtë fjalë që ne e trashëgojmë brez pas brezi nga gjyshërit, nga prindërit e ua themi kaq shpesh fëmijëve tanë, kujdes rruga e shkurtër të nxjerr gjatë. Sepse në historinë tonë në momentet e ngjashme me këtë, kur lufta, mundimi, lodhja, mërzia, pakënaqësia, na ka vënë poshtë, kanë dalë, ata të cilët me fytyra të ndryshme, me emra të ndryshëm na kanë tërhequr pas berihait”.

“Në kushtet kur ne na është dashur të bëjmë atë sforcon që bën diferencën. Në kushtet kur ne na është dashur t’i themi vetes vazhdo. Në kushtet kur këmbët thonë u lodhja dhe na është dashur që ne të vazhdojmë të ngjitemi. Në kushtet kur zemra thotë po plas dhe ne na është dashur të vazhdojmë të ngjitemi. Në kushtet kur mendja thotë ej ndalo pusho dhe ne na është dashur të vazhdojmë të ngjitemi. Ne kemi shkuar pas berihait. Është shfaqur Haxhi Qamili, i cili ka ofruar një rrugë të shkurtër, “hajde mblidhuni t’i biem të dali ku të dali, po dum Babën e kjo punë do zgjidhet e jeta jonë do bëhet fushë me lule”, tha Rama.

“E më pas janë rishfaqur të tjerë në kohë të ndryshme. Besoj se të gjithë atyre që janë pak më të rritur sesa votuesit e parë këtu ju kujtohet shfaqja e Rrapush Xhaferrit. Rrapush Xhaferri ishte i njëjti personazh që i është shfaqur shqiptarëve në historinë e tyre herë pas here, për të përsëritur të njëjtin mesazh, të asaj hijeje që na ndjek nga pas si një mallkim, që na kap nga këmbët, që na bën të kthejmë rrugë, që na dorëzon në duart e cinizmit, të indiferencë. Në duart e sherrnajës dhe të fajësimit të njëri-tjetrit për ta penguar këtë popull që të ngrihet në lartësinë e projektit që Zoti deshi për Shqipërinë”, theksoi Rama.

“Rrapush Xhaferri shkonte qytet më qytet, i shoqëruar me një karvan automobilash, njësoj si Luli sot. Dhe çfarë bënte Rrapush Xhaferri kur ndalonte dhe kur e prisnin  me këngë e me valle si shpëtimtarin. Rrapush Xhaferri thoshte, “ej, o burra, pse lodheni o burra, pse duhet të shkoni në punë, pse duhet të mundoheni të gdhiheni në 4 të mëngjesit dhe të punoni tokën? Pse duhet ta vrisni mendjen se çfarë do të bëhet nesër? Ja ku më keni mua, m’i jepni mua lekët unë ju jap dyfishin, ju shkoni në kafene, merruni me politikë. Ju shkoni në kafene merruni me futboll”, theksoi Rama.

“Unë jam i bindur që këtu ka plot viktima të Rrapush Xhaferrit edhe të Sudes edhe të Vehbiut që natyrisht u shfaqën me bekimin e Saliut. Se ishte Saliu që iu thoshte shqiptarëve ato lekë janë të pastra, investojini ato lekë në këto banka. Mos e çani kokën, jam unë këtu garanti. Dhe Rrapushi çmendi gjithë këtë milet. Shitën njerëzit bagëtitë, shitën njerëzit shtëpitë. Shit e shit gjithçka kishin që t’i merrnin lekët t’i çonin tek Rrapushi që iu thoshte “ti më jep 1 unë të jap 2, më jep 100 të jap 200 javën tjetër. I dhe 200 javën tjetër të jap 400 javën e tretë. I dhe 400, 800 i ke. Gratë e shkreta shihnin burrat edhe thoshin o Zot ishalla është e vërtetë. Por gratë nuk e besonin deri në fund se gratë bëjnë nga 10, nga 12, nga 15 nga 20 punë në ditë. Burrat edhe një punë që bënin e lanë. Ai i thoshte ç’ke o gru isha me shokët pimë raki deri vonë, se kemi Rrapushin tonë, mos u mërzit o gru. Mirëpo erdhi dita që duhej me marrë atë 2-in tjetër se u rrit pjaca edhe doli Sudja, ju kujtohet, loja mbaroi tha. Ou?! Si mbaroi loja? Mbaroi loja, s’ka më. Edhe më jep 1 të jap 2, u bënë ato dy gishtat mu në sy këtu e quan të gjithë Shqipërinë, e u bënë shqiptarët si pula qorre që hidheshin përpjetë mes zjarrit që kishin ndezur vetë. Dhe sa vite na u deshën për ta marrë veten?” – u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.