Rakacolli: Situata nga COVID-19 në Shqipëri, më mirë sesa rajoni

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Akademia e Shkencave ka mbajtur forumin e dytë shkencor “Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”.

Kryetar i komisionit të mjekësisë pranë Akademisë së Shkencave, Genc Sulçebe u shpreh se “Akademia e Shkencave ka ndjekur që nga fillimi në mënyrë proaktive  pandeminë, nuk është kufizuar vetëm nga informacionet e marra nga bota, por ka bërë studime direkte në fushë duke monitoruar ecurinë e pandemisë”.

“Disa nga këto rezultate ne i paraqitëm në forumin e parë online të cilin Akademia e organizoi në fund të tetorit të 2020-s, por ishte kur ende duhej të formalizoheshin ato masa që duheshin marrë për të penguar përhapjen e pandemisë, pra si të thuash masat pasive, pasi masa aktive nuk kemi, ndërsa tani për fat në këtë forum të dytë mund të flasim edhe për masat aktive, pra për vaksinimin që është me të vërtetë arma finale për virusin dhe shpresojmë që sigurisht rezultatet e tij do të jenë me sukses”, tha akademiku Sulçebe.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi përgëzoi komisionin e mjekësisë që është krijuar pranë ASH dhe ka treguar rezultate me punën aktive në këtë përvojë të parë që u krijua nga ligji i ri.

Ai falënderoi të gjithë anëtarët e komisionit dhe grupin e pandemisë të krijuar së bashku me specialistët e tjerë të fushave të tjera që ka mundësuar për të rritur edhe bashkëpunimin e strukturave të Akademisë me strukturat e tjera shëndetësore dhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Gjinushi falënderoi zëvendësministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli për praninë dhe bashkëpunimin e krijuar gjatë betejës me Covid-19.

“Gjithë qëllimi ynë ka qenë që gjithë strukturat e Akademisë të luajnë një rol të caktuar komplementar, plotësues, mbështetës, oponence konstruktive në këtë betejë të përbashkët dhe sigurisht anëtarë të komisionit apo të njësisë që është krijuar gjithashtu të biogjenetikës janë edhe anëtarë të strukturave të caktuara shtetërore që janë në krye të betejës. Në këto komisione kemi edhe mjekët e linjës së parë, të cilët i provuan edhe mbi vete pasojat apo rrezikun e kësaj sëmundjeje, që u vetësakrifikuan dhe rrezikuan dhe jetën e tyre në këtë betejë”, tha Gjinushi.

Zv.ministrja Rakacolli foli për situatën e pandemisë dhe vaksinimin e popullsisë, duke falënderuar punën e palodhur të mjekëve dhe përmendi kontributin e kryeministrit Rama që janë siguruar një numër i konsiderueshëm vaksinash dhe u arrit të jemi sot në numrin më të lartë të ritmit të vaksinimit në rajon. Ajo tha se “përballja e pandemisë shkaktuar nga ky virus i panjohur falë punës së përbashkët të mjaft mjekëve ka bërë që situata epidemiologjike në Shqipëri të paraqitet më mirë sesa rajoni”.

Forumi i dytë për pandeminë lidhet me fazën e tretë të luftës ndaj Covid-19, që Shqipëria e kaloi nga fundi i shkurtit dhe faktin që jemi ne fazën e vaksinimeve.

Prof. Arjan Harxhi i Fakultetit të Mjekësisë,  pranë QSUT “Nënë Tereza” foli për evolucionin e skemave mjekuese të COVID-19 gjatë pandemisë në Shqipëri. Pas një analize të detajuar sesi ka qenë menaxhimi i Covid në Shqipëri, prof. Harxhi tha se parimet e mjekësisë së mbështetur në evidenca janë më të rëndësishme tani në këtë kohë të pandemisë sesa në çdo periudhë tjetër të karrierës sonë.

“Nuk duhet të përdoren ndërhyrje të patestuara nga mjekët. Të gjithë ne bashkë duhet të bëjmë ç’është e mundur për të mundësuar që përgjigjja jonë ndaj pandemisë të bazohet në shkencë dhe jo në aspektet emocionale, politike apo ekonomike që e sfidojnë atë”, tha ai.

Për vaksinimin ndaj COVID-19 në Shqipëri – ecuria, perspektiva dhe vlerësimi i efektivitetit ka folur Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik, e cila me grupin e punës ka analizuar shkencërisht të dhënat deri më 12 prill 2021.

Bino tha se në vendin tonë kemi përdorur katër lloje të ndryshme vaksinash BioNTech & Pfizer, COVAX, CORONAVAX, AstraZeneca dhe dha një pasqyrë të ngjarjeve pas vaksinimit.

Për infeksionin COVID-19 në moshat pediatrike në vendin tonë”, foli mjekja Gjeorgjina Lito-Kuli, e cila theksoi se Covid-19 është një sëmundje infektive pandemike me forma klinike me gravitet të ndryshëm në të gjitha grupmoshat.

“Fëmijët  infektohen  në ritme më të pakta se adultët dhe me gravitet më të lehtë. Rastet pediatrike përbëjnë 3% të rasteve pozitive, prej të cilëve 4.6 % janë hospitalizuar. Grupmosha më e prekur është 1-4 vjeç, ndërsa komplikacionet e rënda shfaqen në moshën mbi 5 vjeç, si ARDS, sepsis, S. Kaëasaki, MIS-C (12 %) të cilat mund të shfaqen dhe në fëmijë pa pathologji shoqëruese dhe disa javë pas kalimit të infeksionit”, tha ajo.

Alban Ylli, Instituti i Shëndetit Publik, foli për veçoritë e dinamikës së prevalencës dhe incidencës së infeksionit COVID-19 në Shqipëri. Ai bëri një analizë të nivelit të trasmetimit komunitar deri më 15 Prill, 2021. “Në javët në vijim do të ketë një mumër të ulët të riskut, si pasojë e efektit të vaksinës në parandalimin e infektimit. Por edhe duhet të jeni të përgatitur për një valë risku potencial të infektimit nga virusi”, tha Ylli.

Për treguesit e hospitalizimit dhe mortalitetit nga Covid-19 në vendin tonë  krahasuar me vendet e tjera dha një raport të hollësishëm mjeku Ilir Alimehmeti, Fakulteti i Mjekësisë, UMT dhe QSUT “Nënë Tereza”. Prof. asoc. Helidon Nini, QSUT “Nënë Tereza” mbylli forumin me një analizë për infeksionin COVID-19 dhe sëmundjet onkologjike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.