PS fiton 74-78 mandate/ Në mandatin e tretë gati paketa e investimeve me 10 miliardë euro

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kemi gati një paketë prej 10 miliardë eurosh për të investuar në Shqipëri në 4 vitet e ardhshme për ta bërë atë një kampione në Ballkan në turizëm, bujqësi, dixhitalizim e energji.

Gjatë një interviste në medie, Rama tha se pikërisht për të vijuar projektet për hapjen e 4 portave nga qielli e 4 portave nga deti, për të kthyer Durrësin në Dubain e vogël të Mesdheut kërkon edhe mandatin e tretë qeverisës.

Rama tha se në zgjedhjet e 25 prillit pret që PS të fitojë 74-78 mandate. Por vuri në dukje Rama, nëse ai nuk do të mund të siguronte mandatet e nevojshme për të qeverisur nuk do të ishte i gatshëm që të krijonte një qeveri, të cilën ai e emërtoi “qeveri nga halli”.

“Unë qeveri me njerëz të tjerë, nga këta, e me parti të tjera nga halli nuk bëj. Kjo nuk diskutohet. Të jesh i pari me 69 do të thotë që s’ke nevojë të mundohesh fare. Qeveri nga halli nuk bëj. Ju them shqiptarëve se ky mandat nuk është për mua. Nuk dua një mandat që të vazhdoj të rri kryeministër, pavarësisht çfarë punësh bëj. Dua një mandat të qartë për të investuar të paktën 10 miliardë euro që të bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, ta fusim në ligën e kampioneve në turizëm; ta bëjmë Shqipërinë kampione në bujqësi. Sot kemi në një numër të caktuar produktesh vendin e parë. Ta bëjmë në energji dhe kampione të dixhitalizimit në Ballkan”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se këto janë projekte të financuara me kompani.

“Në rastin e bujqësisë është një projeksion shumë realist bazuar tek avancimi që kemi bërë, pasi e gjetëm Shqipërinë të fundit në rajon për thithjen e fondeve të BE për bujqësinë. Sot jemi të parët. Kam konkluduar një marrëveshje me disa vende të Lindjes së Mesme që produkte shqiptare të mos shkojnë më si greke në Egjipt apo vende të tjera por të shkojnë direkt. Për këtë e dua mandatin e tretë, jo për veten time”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se kërkonte të dixhitalizonte përfundimisht sistemin e shërbimeve publike që edhe hipoteka, që është problemi më i madh, të jetë në celular.

Sot tha ai, 95 % e shërbimeve janë në sistem, por ai u shpreh se duhet bërë cikël i mbyllur.

“Nëse shqiptarët nuk i duan këto le t’ia japin votën të tjerëve dhe unë jam absolutisht i larë shpirtërisht se bëra sa munda, por jo aq sa desha”, deklaroi Rama.

Nuk jam këtu, tha ai, për t’u zvarrit prapë siç bëmë 30 vite.

“Shyqyr m’u dha mundësia nga populli të hyjmë në një fazë të re. Na doli para tërmeti COVID. Sot jemi në fashën e sipërme që po luftojnë COVID. Do dalim më shpejt se shumë të tjerë në këtë kontinent nga tuneli i pandemisë se sa shumë të tjerë dhe mendoj se është e qartë. Nuk është për mua mandati i tretë që unë të bëhem kryeministër”, u shpreh Kryeministri.

“Nëse PS nuk merr shumicën që mua më duhet për të çuar Shqipërinë bashkë me shqiptarët në majën ku Shqipëria mund të ngjitet në këtë dekadë, por si ka mandatet për të qeverisur dhe duhet të fillojë të bëjë një proces nga halli, hallin do t’ja delegoj dikujt tjetër. PS nuk mbaron se mbaron karriera ime politike”, tha ai.

Por Rama shprehu bindjen se PS do të marrë 74-78.

“Asnjë bashkëpunim nga halli nuk jam i gatshëm të bëj me askënd. Me shqiptarët unë bashkëpunoj nga pasioni e bindja ime që majën që unë e kam parë me sy hapur, kur kam hyrë në këtë rrugë ta arrijnë. Ato duan forcë karakteri dhe të ndash mendjen se midis të parës dhe të bërës është deti në mes. Kjo është arsyeja pse them na duhet mandati i tretë. Për të çuar para këto punë e përfunduar një cikël që është hapur e ngadalësuar nga tërmeti e pandemia”, theksoi më tej Rama.

Ne, vijoi Rama, kemi gati kompaninë më të madhe të botës për turizmin, që ka ndërtuar e menaxhon portin turistik të Dubait me një projekt që e bën Durrësin, “Dubain e vogël të Mesdheut”, ne diskutojmë Ilir Metën Sali Berishën, Dash Shehun.

“Ne kemi gati portin turistik të Vlorës, aeroportin turistik që fillon të ndërtohet nga Behgjet Pacolli. Kemi gati për të nisur garën për Sarandën, ne diskutojmë portalin e Saliut”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.