“PS e para që zgjohet dhe e fundit që fle”/ Do e ngjisim Shqipërinë në atë majë ku populli shqiptar e meriton

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Partia Socialiste e para që zgjohet, edhe e fundit që fle, dhe kështu të gjithë së bashku me PS duke qenë të parët që zgjohemi dhe të fundit që flemë do e ngjisim Shqipërinë në atë majë ku Shqipëria dhe populli shqiptar meriton.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij me banorë të Fushë Krujës.

Kryeministri Edi Rama tha se “sot të jesh i pakënaqur është gjëja më normale, unë jam o pakënaqur, po të isha i kënaqur nuk do isha këtu, po të isha i kënaqur nuk do dilja çdo mëngjes për të bërë aq sa mundem me gjithçka mundem që gjërat të bëhen më mirë. Po të isha i kënaqur për çfarë arsye do vazhdoja të luftoja me mish e me shpirt. Ama pyetja ime për ata që janë të pakënaqur është Si zgjidhet? Zgjidhet duke u shtrirë e fjetur gjumë duke i rënë prapë rrugës së shkurtër, duke i besuar se Rrapushi u ngjall dhe boll të votosh Lulin me atë karvanin e automobilave dhe jeta do bëhet prapë stallore”.

“Të votosh ata që nuk i kanë thënë një herë punës mirëmëngjes dhe çdo ditë kur kanë pasur fatin dhe privilegjin ta drejtojnë këtë vend vetëm i kanë  bërë punët mbrapsht apo kanë bërë prishur punët e të tjerëve dhe Shqipërisë, zgjidhet si me Tramvajin e Tiranës, si zgjidhet”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “zgjidhet vetëm duke vazhduar të ngjitemi, duke provuar siç provuam përballë tërmetit, siç provuam armikut të padukshëm forcën e karakterit tonë. Përmasa e një burri, se e kam me burrat se gratë janë më të qarta. Përmasa e një burri nuk matet në ditë të mirë, por matet në ditë të këqija, kur ecën në një rrugë të drejtë, por matet kur ngjitet në një të përpjetë dhe nuk dorëzohet derisa arrin majën që i ka vënë vetes për qëllim”.

Më tej, Rama u shpreh se “kush do kishte sukses pa punë, pa sakrifica, cili nga ata që punojnë tokën e që prodhojnë nga puna me tokën do kishte mundur të mbijetonte, do të fitonte nëse do ishte dorëzuar para lodhjes, nëse do ishte gjunjëzuar nëse breshëri do i merrte gjithë prodhimet me vete, do i kthente shpinën tokës. Do kishte shkuar pas Rraupshëve. Askush, cila nga familjet tuaja që është më mirë se dje nuk diskutohet. Po të krahasojmë Shqipërinë e sotshme me atë të djeshme, po të krahasojmë shtëpinë e vajzës që foli si votuese e parë me Shqipërinë e nënës së saj kur ka qenë votuese e parë nuk diskutohet”.

“Shtëpitë janë më të mira, shumëçka është më mirë, por nuk ka vend për të qenë të kënaqur, më tregoni një  familje që është dorëzuar, që i ka besuar gjumit, që i ka besuar të ndenjurës këmbë mbi këmbë, cila nga nënat tuaja rri këmbë mbi këmbë në shtëpi. Cila nga nënat tona gatuan këmbë mbi këmbë, kujdeset, merret me fëmijët këmbë mbi këmbë. Pra siç rrinë të gjitha nënat pronto, gatitu, të parat që zgjohen, të fundit që flenë, kështu do jetë dhe PS-ja duhet e para që zgjohet, edhe e fundit që fle”, – tha Rama.

Duke bërë krahasimin me Kroacinë, Kryeministri Rama theksoi se, “çfarë ka Kroacia më shumë se ne? Është vend i bekuar e i bukur, por jeton më mirë se ne, ndërkohë ne kemi më shumë, Zoti ka qenë më bujar me ne se kroatët. Kanë 4 milionë banorë, 9 aeroporte, porta nga qielli të gjitha të hapura, pse? Për të shfrytëzuar në maksimum bukuritë që Zoti u ka dhënë, bukuritë e natyrës janë të gjitha aty për t’u kthyer në motor të ekonomisë së atyre që jetojnë në një vend të bekuar si i yni. Kroacia, 4 milionë banorë 9 aeroporte vendi i 7-të në botë për të ardhurat nga turizmi”./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.