“Projektet madhore për Lushnjën, vija bregdetare dhe parku fotovolatik”/ Braçe: Mandati i tretë, kontratë e re pune në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputetet i PS në qarkun Fier, zv.kryeministri Erion Braçe deklaroi sot nga Lushnja se, “projekti i fshatit pa tatime dhe taksa ka marrë jetë dhe po shkon përpara jo vetëm për këtë vit, por për 10 vitet e ardhshme”.

“Edhe katër ditë kanë mbetur nga zgjedhjet e datës 25 prill. Janë historike këto zgjedhje, jo se ne duam të fitojmë një mandat të tretë, por se ne duam një kontratë të re pune për t’i shërbyer çdo qytetari në Lushnjë dhe Divjakë. Gjatë këtyre 8 vite kemi punuar me mish e me shpirt, me pasion e me zemër, me nder dhe dinjitet për t’i shërbyer çdo qytetari të majtë dhe të djathtë këtu në Lushnjë dhe atje në Divjakë. Kemi ndërtuar vepra, kemi mbajtur angazhime tona, kemi mbajtëm premtimet tona dhe pikërisht për këtë arsye kemi kurajo të shohim çdo qytetar të Lushnjës dhe Divjakës në sy, ndryshe nga të tjerët. Ne jemi ata që punojmë me ju, jetojmë me ju, ndërtojmë vepra për secilin prej jush për të përmirësuar veten tuaj dhe fëmijët tuaj”, tha ai.

“E kemi thënë se projektet tona për të transformuar qytete për t’i dhënë mundësi çdo familje të ketë një vend pune, për t’i dhënë mundësi çdo djali dhe vajze për të punuar këtu me nder dhe dinjitet. Ne do ta vazhdojmë më tej me investime, vepra të reja në arsim, shëndetësi, bujqësi e kudo, me qëllim që gjithkush të ketë mundësi të punojë dhe të rrojë me djersën e ballit këtu në Lushnjë dhe atje në Divjakë”, u shpreh Braçe.

“Do t’ia bëjmë më të lehtë punën gjithkujt që do të merret me bujqësi dhe blegtori, pikërisht për këtë arsye, projekti ynë, projekti i fshatit pa tatime dhe taksa ka marrë jetë dhe po shkon përpara jo vetëm për këtë vit, por për 10 vitet e ardhshme. Nafta falas, plehrat kimike pa tatime, pa taksa, farat dhe fidanë pa tatime dhe pa taksa, mekanika bujqësore, serrat pa tatime dhe taksa”, theksoi ai.

“Mos harroni se PD dhe LSI, Partia Agrare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe Ilir Meta duan t’u vendosin taksën e tyre, taksën e të pasurve, taksën e atyre që u pasuruan përmes krimit dhe korrupsionit, taksën e tyre që vjen nga luksi, dhe ata mendojnë se duke vendosi një tatim të sheshtë bëhet i barabartë. Po a jeni ju të barabartë me Ilir Metës, Sali Berishën, Monikën dhe Lulin? Ne e kemi vendosur në 2013 dhe do e çojmë deri në fund angazhimin tonë, projektin tonë se ata që fitojnë më shumë do të paguajnë 15 % dhe secili prej jush do të paguajë zero lekë tatime dhe zero lekë taksa. E njëjta gjë është për të gjithë bizneset e vogla nga 1-140 milionë lekë, do paguajnë zero tatime dhe zero taksa. Votojeni këtë projekt që mbështet ju dhe familjen tuaj që do të punojë e jetojë në vendin e tij”, tha Braçe.

“Kemi dy projekte madhore, do fillojmë në Lushnjë projektin e parë fotovoltaik në Karavasta dhe projektin e gjithë vijës bregdetare nga Shkumbini në Seman. Kjo është arsyeja që ju ftoj të votoni më 25 prill për PS”, përfundoi ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.