“Po ndërtojmë Piramidën qendër inovacioni për fëmijët”/ Investimet e huaja në stadin ku nuk kanë qenë ndonjëherë

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se, “vota në numrin 12 për PS-në, në zgjedhjet e 25 prillit, do të thotë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur, në të mirën e Shqipërisë”.

Në takimin që zhvilloi sot me banorë të njësisë 2, në Tiranë, Rama tha se “e ardhmja sot nuk është më maja e padukshme, por duhet shumë forcë për t’u ngjitur. E po ju them për ato forca nga qielli dhe deti, e flas për investime që nuk janë parë ndonjëherë këtu, të cilat bëhen sot e nuk bëheshin dot dje”.

“Sot jemi në një moment kur investimet e huaja janë në atë stad që nuk janë bërë ndonjëherë. Ku ta sillje dje këtu, kompaninë e Dubait në një vend ku nuk kishte semaforë, apo ku policët rrinin në udhëkryqe duke ngrënë luledielli. Kjo kompani fillon brenda qershorit punën për ta bërë Durrësin portin më të madh turistik të Mesdheut. Ndërsa dje, këtu gjysma paguanin e gjysma jo. Shifrat e kriminalitetit ishin alarmante. 112 vrasje brenda vitit, në kohën kur ne morëm detyrën, e ku ti sillje dje këtë kompani të huaj dhe investitorët që bëjnë ndryshimin”, theksoi Rama.

“Si ta hapje aeroportin e Kukësit këtu për ta bërë aeroport ndërkombëtar. Sepse të sillje këtu ata që investojnë miliarda duhet t’iu tregosh jo vetëm bukuritë e natyrës sepse këta njerëz që do të vijnë këtu në cilin qytet do të shkojnë? Kur erdhi në krye të detyrës qytetet ishin parkime. Njerëzit nuk dilnin pas në darkë se nuk kishin ku të shkonin me rrugët me gropa e sheshet e qyteteve katrahura”, – tha Rama.

Ndërsa sot, vijoi ai, investitorët e huaj do të dynden, kur projektet do të marrin jetë. Ndaj theksoj se sot është koha që ne do të shohim Shqipërinë kampione e Ballkanit në turizëm, agroturizëm, në energji se kjo është në dorën tonë.

Rama tha se “edhe se vendi kaloi 30 vite duke ia vjedhur energjinë e duke hyrë në gropë borxhesh, sot është gati të kalojë në një nivel tjetër me dy parqet fotovoltaike njëri në Karavasta, tjetri në Spitallë me kompaninë e madhe Voltaia, me Skavicën që ka qysh në kohën e projektit për kaskadën e Drinit, që ka mbetur ëndërr në sirtar dhe sot falë marrëveshjes me qeverinë amerikane dhe me një nga kompanitë më të madha të botës do të bëhet realitet”.

“Me Skavicën nuk ka më bie shumë shi mbylle derën, s’ka shi dil e bli me euro, sa frëngu pulën energji. Me Skavicën çdo pikë ujë që bie grumbullohet aty dhe është rezervuari që balancon gjithë sistemin tonë energjetik që do të fillojmë t’u shesim të tjerëve energji, kur kemi prurje të larta shiu. Bashkë me TEC e Vlorës, që do të bëhet porta hyrëse e gazit të lëngshëm në Shqipëri, duke i hapur një tjetër perspektivë Shqipërisë të 2030 me gazifikimin që do të uli shumë ndjeshëm koston e familjarëve për ngrohje”, tha Rama.

Sipas tij, këto janë projekte konkrete që po punohet, janë kompanitë financimet.

Duke u ndalur në atë se çfarë ka arritur bujqësia Rama tha se, ne sot kemi 400 milionë eksporte bujqësore dhe synojmë 1 miliard eksporte.

“Sot punohet dyfishi i tokës bujqësore se punohej më parë, pasi kemi hapur dhe investuar në kanalet vaditëse dhe kulluese, që 30 vjet u lanë pa u vënë dorë më parë. Ndërsa eksportonim 18 milionë euro prodhime deti sot jemi 100 milionë e do të shkojmë 200 milionë”, tha Rama.

“Nëse doni të votoni ata do të vini vërdallë me katrahurin që krijojnë. Ai solli në vëmendje situatën me Zogun e Zi kur ishte kryetar i Bashkisë Tiranë dhe thoshte që kjo nyje është e domosdoshme se i përgjigjet trafikut dhe fluksit të madh. Dhe ja ku jemi sot pas 10 vitesh. Ajo vepër e madhe tek Shqiponja do të lehtësojë shumë, por shiheni te Zogu i Zi prapë ka fluks, ndaj pse duhej prishur ajo. E kjo sepse ata nuk kanë lidhje me qytetin me të bukurën”, – u shpreh Rama.

Pazari i ri, vijoi ai, sot është si jashtë shtetit dhe ke qejf të vish edhe kur nuk ke punë për të bërë pazar.

“E çfarë do me thënë kjo, që thotë opozita fasada, fasada. I them qytetarëve të Tiranës që thonë jam i djathtë, të lutem shumë mos të shkojnë pas Berihait se do të qelbet Tirana prapë, siç e qelbën sa erdhën e mbushën me plehra e gropa. Më tregoni një shkollë që bën ata, apo kopshte. Sot lista për në kopshte është më e madhe se kapacitetet, ndërsa dje nuk i çonin prindërit fëmijët në kopshte, se ishin mos më keq. Unë e gjeta Kopshtin Zoologjik, ku luani hante karota, ishte bërë luani si lepur”, – tha Rama.

“Ne po ndërtojmë Piramidën qendër inovacioni për fëmijët tuaja, çfarë komunizmi luftoni ju, do ju hapin tregun e punës të rinjve sipas zotësisë të tyre. Jam i bindur që mallkimi i Enver Hoxhës i ka lënë në kurriz PD-së Saliun dhe nuk do të ngrenë kokë, janë bërë qesharakë, se do luftojnë komunizmin”, – theksoi Rama.

“Shqiptarët do të votojnë 12 e pavarësisë së Shqipërisë, do votojnë 12 e yjeve të Europës do votojnë 12 e mandatit të tretë të PS-së“, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.