Pëllumbi me banorë të njësisë 2 në Tiranë: Votuesit për herë të parë mbështesin PS në 25 prill

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Arben Pëllumbi, kandidat i PS-së në qarkun e Tiranës, u shpreh se “votuesit për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit, gjatë këtyre muajve takimesh intensive në çdo cep të njësisë nr. 2, me qytetarë të ndryshëm dhe mosha të ndryshme, na kanë demonstruar mbështetjen për PS dhe Edi Ramën, si forca e vetme politike që bën ndryshimin”.

Gjatë fjalës së tij në takimin që zhvilloi sot kryeministri Rama me banorë të njësisë 2 në Tiranë, Pëllumbi tha se “energjia dhe forca jonë buron nga besimi që na japin qytetarët, për të vijuar me punë që e kanë transformuar vendin dhe vijojmë me Rindërtimin luftën kundër pandemisë, falë punës stoike të kryeministrit Rama dhe gjithë impenjimit maksimal të tij”.

“Votuesit për herë të parë do ta mbajnë mend 25 prillin si ditën ku do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe të vendit. Këtë herë 25 prilli, nuk është thjesht një datë që votohet për një forcë politike, për garën e radhës, por është momenti historik që ju do të vendosni nëse do të vazhdoni të studioni në universitete të akredituara, apo do t’i ktheheni universiteteve kioska. Me votën tuaj do të mbështesni që rinia të vazhdojë zhvillimin professional të aftë për tregun e punës, që ne të vazhdojmë të ulim papunësisë dhe të rrisim mirëqënien e vendit”, – tha ai.

Pëllumbi theksoi se, rindërtimi i ish-Piramidës do të jetë një vend i dijes dhe kulturës për edukimin e brezit të ri, që treguan vizionin e kësaj qeverie për të drejtuar në fushat ku nesër tregu u punës është e ardhmja.

Në këtë kontekst, tha ai, i kërkoj kryeministrit Rama, që në 4-vjeçarin e ardhshëm të krijohet mundësi për ndërtimin e Kampusit të ri Universitar në këtë zonë, që do të jetë qendër për të gjithë të rinjtë dhe do të impaktojë zhvillim ekonomik dhe social.

Gjithashtu tha ai, të fillojë ndërtimi i Teatrit Kombëtar, si pjesë e zinxhirit të perlave që ne kemi në njësinë tonë që fillon nga Parku i Liqenit, Arena Kombëtare, Teatri i Operas dhe Baletit tek Pazari i Ri, ku transformimi ka sjellë një stad ri zhvillimi ekonomik multidimensional e për të vijuar më tej zhvillimi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.