Peleshi: Së bashku të bindur drejt fitores, LSI nuk merr mandat në Korçë

TIRANË, 21 prill/ATSH/ “LSI nuk merr mandat në Korçë dhe në shumë qarqe të vendit”, kështu është shprehur drejtuesi politik i qarkut të Korçës për Partinë Socialiste, Niko Peleshi.

Në takimin e zhvilluar me banorë të lagjes 16 në qytet, kandidati për deputet Niko Peleshi listoi edhe një herë arsyet se përse duhet besuar drejtimi i mandatit të radhës, sërish Partisë Socialiste, si partia që sipas tij ka ditur të sjellë ndryshimin dhe të ecë me hapa të shpejtë drejt zhvillimit të vendit.

Për Peleshin vota për opozitën është një kthim pas në kohë mes problemesh dhe modelesh të vjetëruara. Ndërsa nga ana tjetër është ndalur tek projektet zhvillimore që pritet të zbatohen në Korçë dhe jo vetëm gjatë mandatit të tretë qeverisës.

“Ne nuk duam të kthehemi pas, duam të vazhdojmë të qeverisim që t’i bëjmë më të mira qytetet tona dhe fshatrat tona. Që zhvillimin në qytet ta çojmë në çdo bashki të qarkut. Ky është qëllimi ynë dhe kjo është Partia Socialiste. Ktheheni kokën pas vetëm për pak për të analizuar si kemi qeverisur ne dhe si ata. Gjithçka buron nga vota juaj. Vota juaj është forca e punëve të Shqipërisë. Sepse vetëm vota tuaj dhe partia Socialiste mund t’i shërojë plagët dita-ditës. Ne flasim për një qytet të jetueshëm sot. Korça sot nuk ka lidhje me 2007 kur filluam punën”, tha ai.

“Prandaj dua të angazhohem sërish për një nga projektet më të rëndësishme që duam ta realizojmë në vitet në vazhdim, që është projekti i ngrohjes së qytetit, i gazifikimit. Nëse Korça vazhdon të bëhet qyteti më i mirë dhe më i jetueshëm siç po ecën vitet e fundit, patjetër që të rinjtë do të kthehen këtu. Kush mund t’i zgjidhë problemet e Korçës? LSI? Ç’lidhje ka LSI me pushtetin? Do të zhduket pas këtyre zgjedhjeve. Nuk do të ketë përfaqësues nga Korça në parlament e as nga shumë qarqe të tjera. Kjo është e vërteta prandaj janë turbulluar. Nuk na shkon ne të përfaqësohemi nga një parti që nuk ka asgjë për të thënë, nuk ka asnjë model pasi nuk do t’i vijë rasti të ketë një gjë në dorë për ta bërë. As ata të tjerët të cilët kur kanë qeverisur i kanë bërë punët lëmsh dhe Korça nuk ka parë ndonjë ditë të mirë kur ata kanë qeverisur. Kemi patur vetëm dhimbje koke e probleme pafund”, – përfundoi fjalën e tij Peleshi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.