“Pas tërmetit provuam se çfarë karakteri kemi”/ Në gjithë bashkinë e Krujës shihen provat e këmbënguljes sonë përballë fatkeqësisë

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në të gjithë bashkinë e Krujës, shihen provat e rezistencës ndaj tërmetit dhe e dëshirës së madhe për të shkuar përtej fatkeqësive.

Duke folur në një takim me banorët e Fushë-Krujës, Rama tha se, “dielli po lind sërish për Shqipërinë dhe shqiptarët, pas një periudhe të tmerrshme”.

“Pas një periudhe kur ju këtu, në gjithë bashkinë e Krujës ishit në qendër të një cikloni të vërtetë fatkeqësie. Të ciklonit të tmerrshëm të tërmetit ku humbën jetën njerëz që ju i njihnit, njerëz si të gjithë ne që patën fatin e keq të mos ia dalin përballë asaj goditjeje vdekjeprurëse”, u shpreh Rama.

“Ju përjetuat atë tmerr që Shqipëria e gjitha e përjetoi  nga shumë afër. Ju i ndjetë më shumë se të tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Ju i patë fëmijët tuaj shumë të frikësuar dhe ju u ndjetë për ditë e ditë të tëra me ankthin dhe pasigurinë e madhe të asaj që vjen mbrapa”, theksoi Rama.

Faktikisht, shtoi kryeministri, “ajo ishte një goditje që do të kishte gjunjëzuar edhe një elefant dhe jo më një vend të vogël, jo të pasur si i yni”.

“Por ne rezistuam, ne këmbëngulëm, ne provuam që në fund të fundit, përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira. Përmasa e njeriut nuk matet në festa dhe në gëzime. Përmasa e njeriut nuk matet kur gjithçka shkon fjollë. Përmasa e njeriut matet ditë të këqija. Përmasa e njeriut matet aty ku toka dridhet nën këmbë, dhe atëherë kur njeriu ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe përballë. Aty ne provuam se me çfarë materiali jemi bërë. Aty ne provuam se çfarë karakteri kemi. Aty ne provuam se çfarë mund të bëjmë së bashku përballë çdo të keqe dhe përballë çdo sfide”.

“Sot në të gjithë këtë bashki, kudo ku të shkosh shihen provat e rezistencës tonë, e këmbënguljes tonë, e dëshirës tonë të madhe për të shkuar përtej fatkeqësive dhe për t’u bërë edhe më të fortë edhe më të mirë dhe patjetër e solidaritetit tonë vëllazëror për të mos lënë vetëm asnjë familje. Për të mos lënë vetëm asnjë shqiptar”, u shpreh Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.