“Një minutë heshtje për Bashkim Finon”/ Rama nga Lushnja: Njeriu që nuk ia mbylli derën askujt që kishte halle

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët e Lushnjës, pjesëmarrës në takimin përmbyllës elektoral, të mbanin një minutë heshtje për Bashkim Finon, njeriun që sipas tij “nuk ua mbylli derën askujt prej atyre njerëzve që kishin halle”.

Takimin elektoral Rama e nisi me përkujtimin e deputetit socialist, Bashkim Fino i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.

“Për mua është një moment i vështirë, sepse duket sikur vetëm tani, vetëm këtu unë u pajtova me faktin se Bashkimi nuk është më. Deri sa pa ardhur këtu e kisha më të lehtë dhe nuk më dukej edhe aq reale ikja e tij, ndërsa këtu, në këtë shesh ku kemi qenë shpesh, ai nuk është më dhe tani unë duhet të pajtohem me këtë fakt. Erioni bëri shumë mirë që na ftoi të gjithëve ta duartrokasim Bashkim Finon, por unë do ju lutesha ta mbajmë një minutë heshtje për Bashkim Finon. I paharruar qoftë kujtimi i tij!” – tha Rama.

“Bashkimi hyn ndër ata njerëz që edhe kur largohen mbeten brenda nesh falë kujtimit që lënë, falë gjurmës së pashlyeshme që lë prania e tyre në jetën tonë. Jam i bindur se njësoj si unë në këtë moment mendojnë të gjithë ata mes jush që e kanë njohur Bashkimin nga afër, jo nga televizioni dhe tribunat”, shtoi ai.

Duke iu drejtuar të gjithë atyre që e kanë njohur Bashkim Finon, Rama tha se “ditën e diel kanë një detyrim më shumë, një borxh më shumë, jo thjesht për të votuar për veten e tyre, për gjithçka që ne përfaqësojmë dhe gjithçka që lidhet drejtpërdrejtë për mirë me detyrën tonë, por kanë një borxh më shumë për të votuar edhe për Bashkimin”.

“Bashkimi erdhi në Lushnjë kur ishte një figurë e mirënjohur kudo dhe Lushnja ishte një stacion tjetër i jetës së tij brenda familjes sonë politike. Por ju them sinqerisht, se ai u lidh aq shumë me Lushnjën, saqë nuk linte rast kur ne takoheshim pa më folur për Lushnjën. Çfarë duhet bërë në Lushnjë, por jo vetëm në kuptimin e punëve të mëdha, por edhe për një familje, për një familje tjetër, për njerëz që kishin halle dhe të cilëve Bashkim Fino kurrë nuk ua mbylli derën. Nëse dikujt nuk ja ka zgjidhur një hall të jeni të bindur se ai ka bërë të gjitha ato që ka mundur”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.