Ngjarja në Elbasan/ Veliaj: E nisën me armë dhe e mbyllën me armë; Evolucioni për këta nuk ekziston kur shohin Presidentin dhe liderin e partisë që bëjnë thirrje për dhunë

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën në takimin elektoral nga Njësia 3, këtë pasdite komentoi ngjarjen e rëndë ndodhur pak më parë në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani. “E nisën me armë dhe po e mbyllin me armë”, tha Veliaj.

“E filluan me pistoletë tek këndi i lojërave. Kur shikojnë që deputeti shkon me pistoletë, bashkë me presidentin e Republikës, kundër një këndi lojërash, ku e filluan dhe e mbyllën prapë me deputetë me armë, të shoqëruar nga njerëz të dhunshëm që vrasin të tjerët, në Elbasan dhe prapë me një president republike që bën thirrje për dhunë. Nga kjo ti kupton që për këta evolucioni s’funksionon. Evolucioni funksionon për të gjithë speciet, çdo specie përmirësohet dhe bëhet më e mirë, por këta jo”, theksoi Veliaj.

Veliaj pohoi se është për të ardhur keq kur një President bën thirrje për dhunë dhe një lider partie thotë “merrni armët”.

“Unë besoj që ai që vrau në Elbasan është gjithashtu viktimë, nuk është ai ideolog, ai stampisti. Unë besoj që ai patjetër që duhet të dënohet për vrasjen, as e diskutoj fare, por unë besoj që ai është viktimë. Se kur një njeri shkrep këmbëzën, sepse një lider partie i thotë – Me pisqollë zgjidhen gjërat – dhe kur Presidenti i Republikës del dhe bën thirrje non – stop për dhunë, për sfurqe, për sëpata, për prerje duarsh, për prerje gishtash. Të gjithë këta që janë kapur të LSI-së janë duke shitur dhe duke blerë vota”, u shpreh Veliaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.