Ngjarja në Elbasan/ Ambasada e SHBA-së dhe BE: Autorët të dënohen me të gjithë forcën e ligjit

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar sot në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Elbasan duke u kërkuar forcave politike vetëpërmbajtje.

Ambasada e SHBA-së në deklaratën e saj shprehet se, “kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”.

Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar.

“Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, shprehet Ambasada e SHBA-së.

Delegacioni i Bashkimit Euriopian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me ngjarjen e Elbasanit duke theksuar se “akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”.

Reagimi i Ambasadës së SHBA-së dhe Delegacionit të BE-së erdhi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën tre të tjerë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.