Ngjarja e Elbasanit/ Patronazhistët e PD-së të armatosur dhe shkojnë deri aty sa vrasin njerëz

TIRANË, 21 prilll/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “ne jemi vënë në shënjestër për arsye se kemi një organizim tipik të partive të mëdha dhe serioze të gjithë botës me patronazhistë që trokasin nëpër dyer dhe komunikojnë me qytetarët, ndërkohë që patronazhistët e PD-së janë të armatosur dhe shkojnë deri aty sa vrasin njerëz”.

I ftuar në një studio televizive, Rama komentoi ngjarjen e sotme në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë.

“Komenti im është që të gjithë qytetarët le ta mendojnë për një moment sikur kjo ngjarje të ishte zhvilluar në kahje të kundërt. Sikur furgonë të ngjashëm me fugonët e policisë të kishin mbërritur në cilindo qytet duke pasur brenda një strukturë paramilitare me ish-oficerë policie dhe të kishin logon e PS-së, të ndalonin njerëzit në rrugë dhe t’ju kërkonin hesap, apo të vijnë vërdallë nëpër pika të ndryshme duke krijuar një situatë absolutisht të paimagjinueshme. Pastaj imagjinoni sikur në furgonët me paramilitarët të loguar si të PS-së të hapej zjarr, të vritej dikush, të plagosej një efektiv policie dhe aty pranë kufomës Taulant Balla të mbante fjalim ku të akuzonte palën tjetër. Të merrte vrasësin dhe të largohej”, tha Rama.

Rama tha se kanë qenë të gjithë bashkë dhe kanë ikur në makinën e tij personale, apo në karvan nuk ka pikë rëndësie.

“E rëndësishme është panorama, çdo detaj e aspekt tjetër të kësaj ngjarje duhet ta trajtojë drejtësia, Policia e Shtetit, Prokuroria. Një ngjarje e tmerrshme që tregon dëshpërim të madh deri në pikën ku realisht shkohet ku nuk duhet të imagjinohet”, tha Rama.

Rama shtoi se, “ky është një proces zgjedhor dhe për hir të së vërtetës po të heqësh Ilir Metën nga ekrani, do të ishte një proces në ekran tërësisht europian, pavarësisht ekseseve me grumbullimet që janë dhe që nuk duhet të bëhen në kushtet e pandemisë. Por në territor kanë filluar ta ndiejnë se do të kenë një humbje serioze në 25 prill dhe natyrisht që gjithë nxitja dhe presioni që kërkon me çdo kusht të ngrejë Ilir Meta çon ujë krejtësisht në mullirin më të gabuar për shoqërinë tonë. Ne nuk kemi dalë në fushatë elektorale të plagosen e humbasin jetët e njerëzve, cilitdo qofshin ata. Që mesazhi se vajzat dhe djemtë mund të humbin jetën, sepse ne kemi garë. Kjo është një garë për dy rrugë të ndryshme për të nesërmen e vendit, jo për jetë a vdekje”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.