Meta, një katastrofë ambulante dhe që takon subjekte të OFL-së/ Në 25 prill, partia e tij duhet të marrë një mësim të madh nga Shqipëria

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ “Ilir Meta është i papërmbajturi i madh i kësaj historie, katastrofë ambulante që lëviz në Shqipëri dhe shfaqet në ekranet e shqiptarëve si një gogol që do me çdo kusht t’ua nxijë këtë proces”, tha sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, ku komentoi edhe deklaratën e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim e cila i bën thirrje Metës, Ramës dhe Bashës për vetëpërmbajtje.

“Në fakt tani nuk dua të zbus apo të lehtësoj pozitën e Lulzim Bashës, por realisht në këtë aspekt përjashto atë haluçinacionin e atij Gazment Bardhit që ka një përgjegjësi të madhe për fjalët që nxorri e gjestin makabër që bëri duke mbajt fjalime 2 metra nga xhenazja, por Lulzim Basha nuk është se ka treguar ndonjë mospërmbajtje. Unë nuk di të kem”, tha Rama.

Ai theksoi se “Ilir Meta është i papërmbajturi i madh i kësaj historie, katastrofë ambulante që lëviz në Shqipëri dhe shfaqet në ekranet e shqiptarëve si një gogol që do me çdo kusht t’ua nxij këtë proces, që në fakt është një festë demokracie pavarësisht përplasjes së palëve. Kjo është festë demokracie jo një mundësi për të vrarë njerëz”, tha Rama.

Lidhur me deklaratën e Metës nga Shkodra se do tu presë gishtat nëse vidhet një votë, Rama tha se, “puna e gishtave dhe duarve të Ilir Metës më kujton një shprehje të Astrit Patozit dikur se ‘kur Ilir Meta flet kundër blerjes së votës, ta besosh është njësoj si të besosh se ISIS do predikojë luftë kundër terrorizmit'”.

“Është një absurd ku një njeri që vjen vërdallë nëpër Shqipëri dhe të cilit e bija i thotë: babi mos pi kthehu në shtëpi’, i dehur dhe i lemerisur nga fantazmat që nuk e lënë dot të marri frymë dhe të mendohet dy herë, një katastrofë ambulante. Realisht në 25 prill shqiptarët duhet ta mendojnë 12 herë para se tu shkojë mendja, atyre që u shkon mendja, të votojnë për atë parti. Ajo parti duhet të marrë një mësim shumë të madh nga Shqipëria. Partia e Ilir Metës se Monika Kryemadhi është administratore e një shpk-je dhe Ilir Meta është pronari i asaj partie”, tha Rama.

Ai tha se “veprimtaria e Ilir Metës në periudhën e fundit është një veprimtari që duhet të trajtohet nga spitali, nuk mund të trajtohet nga pikëpamja kushtetuese, politike dhe etike, jemi në zonën klinike realisht”.

“Është rast klinik realisht dhe klinik i rrezikshëm se në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet të nxisë konflikt dhe tension. Nuk ka bërë vaki, nuk ka president, ndoshta në ato zonat andej të Afrikës mbase ka pas të tillë tipa, por nuk besoj të ketë sot më”, tha Rama.

Ai tha se “në 25 prill është një mundësi e madhe që populli të jap një mesazh shumë të qartë dhe të ndërhyjë kirurgjikalisht për ta ndëshkuar fort Ilir Metën”.

“Mbase ky ndëshkim mund t’i vlejë që të shkoj në shtëpi të dëgjoj vajzën, të bëj detoks me gjithë atë raki që pi, që del i dehur e marrin zvarrë në lokalet ku takon subjektet e OFL-së, pastaj në mëngjes shkon me kapuç takon prapë subjektet e OFL-së. Pastaj del në televizor dhe shpif. Nuk gjej dot fjalët. E paimagjinueshme të shikosh një person të tillë të lajthitur që ka Skënderbeun dhe flamurin tonë në sfond dhe përgojon gjithë dynjanë dhe pastaj dekoron nga heronjtë e popullit deri te ata që gatuajnë pica dhe torta me çokollatë”, tha Rama.

Sipas tij, ky është një spektakël absurd. “Ilir Meta duhet të ishte realisht një personazh që do të krijonte hilaritet të madh nëse do të shfaqej në emision satirik, por të mendosh që nuk është satirë, por vetë presidenti, ky është fundi”, tha Rama.

“Në 25 prill shqiptarët duhet ta mendojnë jo 2 herë, por 12 herë përpara se t’u shkojë mendja që të votojnë për atë parti. Ajo parti duhet të marrë një mësim të madh. Duhet të marrë mësim të madh nga shqiptarët. Është partia e Ilir Metës. Kryemadhi është një administratore aty, Ilir Meta është pronari i asaj partie”, pohoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.