Meta nga Vlora: Kadastra dhe IKMT veprime në kundërshtim me ligjin me pronat në Orikum

TIRANË, 21 prill /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta gjatë një takimi me gazetarë në Vlorë ka bërë publik sipas tij ankimin e qytetarëve për procesin e legalizimeve në Vlorë.

Meta tha se IKMT ka kërkuar se në segmentin Orikum-Rradhimë përjashtimin e disa objekteve nga legalizimi dhe skualifikimet sipas tij janë të pajustifikuara.

“Pas kthimit në Tiranë realizova takim me Avokatin e Popullit, zonjën Ballanca, ku i shpreha shqetësimet tuaja mbas peticionit tuaj dhe ku dhe shprehu angazhimin të përfundonte sa më parë një hetim për këtë çështje. Në 30 mars Avokati i Popullit ka konkluduar se: hetimi ka nisur në tetor 2019 dhe përfundoi në mars 2021. Konstatoi se IKMT, Bashkia Vlorë dhe Agjencia e Kadastrës nuk kanë bashkëpunuar me Avokatin e Popullit për një kohë të gjatë, por i kanë fshehur këtij institucion të dhëna e vërteta për një kohë të gjatë, duke i vonuar përgjigjen deri në janar 2021, pra 16 muaj i është dashur Avokatit të Popullit për të marrë përgjigje nga këto institucione”, tha Presidenti.

Meta shtoi se “të gjitha veprimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe IKMT për përjashtimin nga legalizimi i shumë objekteve dhe prishjen e disa prej tyre janë kryer, ndërkohë që nuk ka pasur një projekt të miratuar sipas ligjit për rikualifikimin e segmentin rrugor Vlorë-Orikum. Pra ka qenë një gënjeshtër se gjoja kishte një projekt dhe mbi bazën e projektit u bënë prishjet dhe të gjitha veprimet e tjera në kurriz të të drejtave të qytetarëve”.

“Kërkesa e IKMT-së drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për përjashtimin nga legalizimi të objekteve është e pajustifikuar. Vendimet e Kadastrës për skualifikimin nga legalizimi kanë qenë të pajustifikuara totalisht nga ana ligjore dhe jashtë objektit të veprimtarisë së këtij institucioni dhe nuk mbështete në asnjë dispozitë ligjore në Republikën e Shqipërisë. Vendimet e Kadastrës për skualifikimi nga legalizimi kanë qenë të paarsyetuara. IKMT ka vepruar për prishjen e objekteve në mënyrë harbute me urgjencë të pajustifikuar ndërkohë që nuk kishte projekt për zbatim apo ndonjë veprimtari tjetër publike në segmentin Vlorë-Orikum. IKMT ka shkelur rëndë ligjin dhe ka ndëshkuar qytetarët me gjoba në shumë të ndryshme sikur objekte të ishin ndërtime të çastit, ndërkohë që kanë qenë të vetëdeklaruar dhe të përfshira në procesin e legalizimit. Bashkia Vlorë i ka deklaruar avokatit të popullit se nuk ka dijeni për veprimet e ndodhura në këtë segment rrugorë me këto objekte. Damiani i takoi qytetarët pasi u takuan me Presidentin dhe u premtoi se do t’ua rregullojë problemin vetëm pas zgjedhjeve. Qytetarët e Vlorës e morën përgjigjen nga përgjimet e Artan Lames, ku thoshte se nga 170 mijë legalizime do të realizohen vetëm 60 mijë. T’u marrim vota thoshte dhe t’ua fusim pas zgjedhjeve”, – tha Meta.

Presidenti Ilir Meta nga Vlora ka folur sërish për dy ngjarjet e rënda, për plagosjen në Kavajës dhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit, në Elbasan.

Duke iu drejtuar gazetarëve, Presidenti Meta tha se, ku ndodhi ngjarja në Kavajë?

“Ndodhi brenda në zyrën elektorale të PD-së. Kush hyri brenda zyrës elektorale të PD-së? Hyri Drejtori i Policisë Bashkiake, punonjësi i policisë dhe hyri dhe një person tjetër që kreu aktin, që shyqyr Zotit, nuk pati asnjë viktimë, por plagosja ishte serioze dhe gjaku u derdh atje. Në Elbasan për këtë rast nuk mund t’ju them, se kam qenë në rrugëtim, por kam një pyetje për ju, pse ndodhi situata në Elbasan herën e parë, konflikti pse ndodhi?” – tha Meta, ndërsa theksoi se gjithë ky tension vjen nga ai që krijoi marrëveshjen e 5 qershorit dhe se ka frikë nga zgjedhjet e lira. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.