Meta nga Fieri: Shumica e krimeve zgjedhore të denoncuara deri tani, në qarkun e Elbasanit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Fieri se është shumë e rëndësishme që të evitohet çdo incident dhe çdo tensionim i panevojshëm i situatës.

“Është shumë e rëndësishme të evitojmë çdo incident, çdo tensionim të panevojshëm që gjithmonë provokohet nga Rilindja, sikurse dihet, pasi objektiv dhe qëllimi kryesor është mbarëvajtja maksimale e datës 25 prill. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është që të mos preket asnjë votë, jo në Fier, por në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Pasi dihet që qëllimi kryesor i kryerilindasit është pikërisht ky dhe kërkon të spostojë vëmendjen me incidente artificiale”, tha Meta.

I pyetur për ngjarjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, Meta tha se, “nuk mund të them asgjë për çështjen e Elbasanit, për arsye se nuk mund të flas pa pasur të qartë edhe të plotë panoramën apo dinamikën e ngjarjeve. Po di që Elbasani ka qenë dhe mbetet së bashku me Durrësin, dy nga qarqet me problematike. Ju e dini dosja e Shijakut që ka nxirë faqen në të gjithë botën se çfarë ishte, dhe e dini shumë mirë që kandidatë të dosjes së Shijakut dhe kandidatë të dosjes së Dibrës janë përsëri kandidatë. Një në Vlorë dhe dy të tjerë janë në Durrës”.

“Ajo që është shqetësuese në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore deri tani që janë denoncuar në Shqipëri i takojnë qarkut të Elbasanit. Ajo që është serioze është se Prokuroria është tërësisht e njëanshme në Elbasan, po kështu Shërbimi Informativ, dhe për këtë sot kam kërkuar të ketë vëmendjen e tij edhe Drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it, jo vetëm në Elbasan, edhe në disa të tjera, po Elbasanin në mënyrë të veçantë. Dhe dihet pastaj që edhe policia në Elbasan bëhet palë midis grupimeve rivale, po gjithmonë të lidhura me Taulantin”.

“Kështu që ajo që unë do t’i ftoja të gjithë është organet ligjzbatuese urgjentisht të shkëpusin, çdo lidhje, çdo kontakt, e çdo preferencë politike partiake dhe padyshim që do të mbajnë përgjegjësi për çdo ngjarje të rëndë që po regjistrohet në vend”, tha Meta.

“Unë i ftoj të gjithë me qetësi dhe me vendosmëri të nisen drejt 25 prillit. Të kenë besim se votat e tyre do të numërohen në mënyrë të përpiktë, ashtu sikurse kam paralajmëruar sot të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, vendore, apo qendrore. Do të ketë një ligj special, çdo njeri në administratë që përfshihet në krim zgjedhor dhe janë 15 figura të krimit zgjedhor, përjetësisht nuk do të ketë më vend në administratën publike. Dhe nuk ka më gjë të rëndësishme, gjë më të shenjtë sesa vota e lirë dhe vota e barabartë. Dhe administrata nuk është për t’i shërbyer asnjë partie, as sot as në të ardhmen, është për t’i shërbyer qytetarëve pa dallim, që paguajnë taksa për administratën për qeverinë, për presidentin, për të gjithë shtetin, që t’u shërbejë atyre dhe jo që t’i dhunojë ato”, u shpreh Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.