Marrëveshje direkte me tregjet e Lindjes së Mesme për eksportin e produkteve bujqësore/ Më tepër të ardhura për fermerët

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ “Sot unë kam përfunduar një bisedë në parim që të mos ketë eksporte që nga këtu shkojnë në Greqi dhe më pas nga Greqia, si mall grek, nisen në Lindjen e Mesme, në Egjipt, Tunizi. Ne do të bëjmë marrëveshje direkte dhe një treg i madh në gjithë ato territore do të hapet për eksportet tona”, deklaroi sot nga Lushnja, Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me banorë të Lushnjës, Rama tha se hapja drejt tregjeve të reja do të sjellë rritjen e eksportit të produkteve bujqësore në mbi 1 miliard lekë.

“Këto janë të gjitha të ardhura që vijnë këtu dhe do ta bëjnë këtë vend një vend siç e ka parashikuar Zoti, që shqiptarët të ndjehen zot në tokën e tyre”, tha Rama.

Rama tha se “ne do ta arrijmë atë majë dhe do ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë jo me llafe, por realisht”.

“Ky është vendi që mund të flitet për bujqësinë që deri para disa vitesh ishte bujqësia e heronjve të panjohur, të heshtur, që siguronin bukën e fëmijëve të tyre të braktisur, pa kanale kulluese, pa kanale ujitëse, pa rrugë, pa asnjë mbështetje. Edhe kur një mbështetje u thuhej se do t’u jepej, ajo shpërndahej në një rrjet të caktuar”, tha Rama.

Ai tha se “sot ne kemi 140 pika të reja grumbullimi me standarde nga më të mirat”.

“Sot ku janë ato tezga me produkte në rrugë. Gjatë gjithë rrugës shihje tezga me ato tendat e fierit, ato nuk janë më, i përkasin së shkuarës, sepse sot bujqësia jonë ka hyrë në një fazë të re, po bëhet sipërmarrëse”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.