Manastirliu: Brenda majit mbi 900 mijë vaksina, vaksinimin e plotë do ta mbyllim para pranverës së ardhshme

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se brenda muajit maj numri i vaksinave të ardhura do të jetë rreth 900 mijë.

Në një intervistë televizive Manastirliu tha se “fushata e vaksinimit po ecën me ritme të shpejta. Jemi vendosur që të intensifikojmë këtë proces. Kjo është arritur në saj të punës kolosale. De më tani shumë vende të rajonit janë duke ecur me ritme të ulëta. Ne jemi përgatitur dhe e kemi treguar se jemi duke ecur me ritme të shpejta. Sa më shpejt vaksinon, aq më shpesh ul ritmin e infektimeve. Kemi vaksinuar 10 % të numrit total të vaksinimit duke iu referuar popullatës. Do të kemi ardhje të vaksinave edhe në javët në vijim dhe brenda muajit maj ne do të kemi rreth 900 mijë vaksina të cilat do të administrohen. Ndaj kemi lehtësinë për të ecur me ritmet e vaksinimit”.

E pyetur se kur mund të përfundojë vaksinimi i plotë i popullatës, Manastirliu tha se mund të përfundojë para pranverës së vitit të ardhshëm.

“Procesi i vaksinimit po ecën me ritme të shpejta falë edhe disponibilitetit të vaksinave. Me ritmet që kemi vaksinimin e popullatës mund ta përfundojmë para pranverës së vitit të ardhshëm, nga fundi i vitit ose fillimi i vitit që vjen”, – tha Manastirliu.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.