“Luli është kukull e kurdisur”/ Tirana është në një test të madh karakteri në këto zgjedhje

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Tirana është në një test të madh karakteri në këto zgjedhje.

Duke folur në një takim me qytetarë të njësisë 2 në Tiranë, Rama tha se, “shumë njerëz thonë se nuk do kthehet prapë mbrapa kjo punë”.

“S’do kthehet prapë mbrapa? Ore do dalin ata tipat do hapin bingo ata janë në makina. Do vijnë ata drejtorët e policisë që nxirrnin nëpër prita oficerët e policisë që vriteshin dhe i nxirrnin nëpër prita se lajmëronin përpara kriminelët që shkonin forcat speciale për t’i kapur. Sa funerale kemi bërë këtu tek njësia 2 të oficerëve të Policisë që kemi shkuar ti nderojmë atje tek SHQUP-i. Kush i vriste ata? Që gjendeshin komplet zbuluar përballë kriminelëve. I vriste tradhtia. Tradhtia e kujt? Tradhtia e atyre që janë në ato makinat brenda, që organizojnë autokolonën, që organizojnë fushatat. Duan të kthehen prapë. Aty brenda janë gjithfarëlloj hajdutësh të doganave dhe tatimeve. Duan të kthehen prapë”, tha Rama.

“Ju mendoni që nëse ndodh ajo që s’ka për të ndodhur, por nëse ndodh që ata të kthehen, po do kthehen me kuç e me maç. Se Luli deri aty e ka misionin. Lulit pastaj i thonë Gjino ik tani edhe dalin ata të dy. Dalin dy bishtat e dardhës, Saliu me Liken, bashkë me atë të zezën e farave që është përpara që është Monika. Dalin ata pastaj s’ka më punë Luli i shkretë. Luli është kukull e kurdisur, dhëndri për të shkuar për nuse. Imagjino të bësh një dasëm, ti pret dhëndrrin, e s’vjen dhëndri fare, vijnë dy krushq, Saliu me Liken ti kesh krushq përballë, e kupton. Edhe të thonë “erdhëm ta marrim gocën”. Ku është dhëndri mo? Po fle”, vijoi Rama.

“Ne duhet të vazhdojmë dhe Tirana është në një test të madh karakteri, Tirana, qytetarët e Tiranës. Ka 1001 gjëra që nuk shkojnë në Tiranë, patjetër, se po të shkonin të gjitha për çfarë duhesha unë këtu, e për çfarë duhej Lali e për çfarë duheshim ne. Por duke parë sesa shumë gjëra janë bërë dhe sa janë tani që flasim duke u bërë ndërkohë që ne jemi këtu. Janë 100 kantiere në punë”, tha Rama.

“Të ndërpresësh këtë rrugë, të ndërpresësh ngjitjen për t’i hapur rrugë marrëzisë që gjithmonë i ka kapur nga poshtë këmbët Shqipërisë dhe shqiptarëve, pikërisht aty kur duhej ndarë të ngjitemi më lart, duke i provuar vetes se ne mundemi, apo tak, rrugën e shkurtër”, tha Rama.

“Nuk e ka popull tjetër, në asnjë gjuhë tjetër, të paktën me sa unë kam kërkuar, nuk e ka shprehjen  e popullit shqiptar “rruga e shkurtër të nxjerr gjatë. I ka ardhur në majë të hundës popullit të shkretë dhe e ka nxjerrë këtë porosi. Mos i bini shkurt se ju nxjerr gjatë. Nëse gjërat që ne kemi bërë do ishin bërë shumë vite më parë. Nëse reformat që ne kemi nisur do ishin nisur shumë vite më parë, sot do ishim duke bërë biseda të tjera pa diskutim. Por pikërisht se nuk u bënë duke i rënë shkurt, e duke i rënë shkurt, e duke i rënë shkurt, ne mbetëm larg asaj maje ku është misioni ynë ta ngjisim Shqipërinë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.