Koalicion nga halli s’do të ketë kurrë/ Nuk e dua mandatin e tretë për pushtetin, por për Shqipërinë

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje, se “koalicion nga halli nuk do të ketë kurrë, ndërsa nga nevoja e Shqipërisë, nga nevoja e një kalimi përtej pandemisë politike dhe jo vetëm pandemisë shëndetësore çdo gjë mund të jetë e mundur në 4 vitet që vijnë”.

“Por nga halli në asnjë mënyrë. Për mua pushteti nuk është qëllim. Nuk e dua mandatin e tretë për pushtetin, por për Shqipërinë”, tha Rama, i ftuar në një intervistë televizive, të realizuar në ambientet e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit.

Ai tha se “në rast se mandati i tretë nuk është i qartë dhe PS nuk i ka votat për të krijuar qeverinë por duhet që nga halli të shohi dhe të kërkojë tek ato qershitë, kurrë, sepse për mau pushteti është mjet për të realizuar qëllimin dhe qëllimet e mia nuk janë personale, janë kombëtare dhe shoqërore”.

Rama tha se “janë qëllime që kanë të bëjnë me ushtrimin e pushtetit në funksion të ngjitjes së Shqipërisë në atë ëndrrën që e kam parë me sy hapur”.

“Nuk jam një njeri pa të meta, nuk jam i thjesht ndonjëherë jam dhe i vështirë, por nuk ju paraqitem shqiptarëve si një model se si duhet të jetë dhëndri i vajzës time, por si një kalë pune që di ku do të shkojë dhe di si të shkojë deri aty. Nëse duan një kalë pune që ta tërheqi aty ku meriton Shqipërinë. Unë s’jam në dispozicion për të qëndruar në karrige dhe për të rifilluar nga e para çorbën e kompromisit për pushtet”, tha Rama.

Ai tha se “kërkon bashkëpunim nga nevoja për të shkuar përtej pandemisë”. “Unë e shoh Shqipërinë gati që të bëjë ato hapa që e çojnë në atë majë ku e meriton brenda kësaj dekade. Unë po flas në parim, mendoj se duhet të bëjmë një sforco të gjithë që Shqipërisë t’i japim shembullin e bashkimit të forcace për ta çuar aty ku e meriton por pa diskutim nën udhëheqjen time dhe të PS-së. Në asnjë mënyrë tjetër Shqipëria nuk ngjitet”, tha Rama.

“Unë nuk po flas për gjëra konkrete, thashë në 4 vitet e ardhshme. Për të ndërtuar bashkëpunim në funksion të Shqipërisë duhet të bihet dakord në frymë, fillohet në bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Nuk e kam këtë as për diversion, as për hall”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “nuk jam më asnjë dispozicion të asnjë projekti që të hamë çorbë nga e para”.

“Pranoj çdo vendimmarje të shqiptarëve nuk e vë në diskutim, por unë nuk jam nga ata që vras të tjerë për pushtetin apo vras veten time dhe shkatërroj komplet atë që unë jam në raport me veten time, familjen time, me ata njerëz që më njohin nga afër dhe me kujtimin që do tu lë fëmijëve të mi. Nuk jam unë njeriu ‘o të rri këtu o s’ka’, me të gjitha mënyrat. Nëse kemi një mandat të tretë që na jep mundësinë të ngjitemi, jam i gjithi në dispozicion, nëse mundësia për tu ngjitur është e paarritshme ka plot të tjerë që mund t’i bëjnë këto gjëra, nuk kam asnjë problem, politika është kjo, por jo për mua”, tha Rama.

Megjithatë, ai shprehu bindjen se “PSe do të marrë një fitore nga 74-78 deputetë dhe do të kemi një shumicë të fortë, të qëndrueshme dhe koalicion nga halli me asnjë”

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.