“Jemi duke vazhduar një luftë të egër në dy fronte”/ Maja ku Shqipëria duhet të ngjitet me patjetër, misioni ynë

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se ne nuk mund të themi boll kur maja ku Shqipëria duhet të ngjitet me patjetër është misioni ynë.

Në një takim me banorë të njësisë 2 në Pazarin e Ri në kryeqytet, Kryeministri Rama theksoi se se “kush nuk lodhet kur punon dhe ka barrë të madhe për të mbajtur jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët nuk besoj se ka ndonjë prind që nuk lodhet, ndonjë grua, bashkëshorte, nënë që nuk lodhet, por nuk besoj gjithashtu se ka ndonjë prind, ndonjë nënë, ndonjë babë, që të nesërmen nuk ngrihet përsëri herët në mëngjes për të vazhduar përsëri të punojë pa u lodhur deri sa në fund të ditës së gjatë ndihet përsëri i lodhur dhe përsëri bën të njëjtën gjë”.

“Në këtu sot kemi shumë arsye për t’i thënë vetes hajde ulemi dhe bëjmë muhabet. Le ta lëmë këtë punë se u lodhëm, se në fund të fundit shumë kemi bërë, shumë jemi lodhur dhe e meritojmë që të bëjmë pushim, por siç prindërit në një familje nuk mund ta bëjnë kurrë këtë as ne nuk kemi të drejtë të flasim me gjuhën e lodhjes, e pakënaqësisë, të mërzisë”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “kush nuk është i pakënaqur nuk ka asnjë shans që të gjejë motive për të vazhduar”.

“Në këtë moment ndahen edhe njerëzit edhe karakteret mes atyre që janë të pakënaqur edhe prandaj vazhdojnë me këmbëngulje përpara dhe mes atyre që janë të pakënaqur edhe ulen”, tha Rama.

“Mes atyre që janë të pakënaqur me lartësinë që kanë arritur dhe duan me çdo kusht të arrijnë majën që i kanë vënë objektiv vetes dhe atyre që arrijnë deri në lartësi dhe pastaj dëgjojnë këmbët që u thonë u lodhëm, dëgjojnë zemrën që u thotë po plas, dëgjojnë mendjen që u thotë gjej një rrugë të shkurtër, boll. Po si mund të themi ne boll kur maja ku Shqipëria duhet të ngjitet me patjetër është misioni ynë”, – shtoi Rama.

Më tej Kryeministri u shpreh se “si mund të themi boll kur sot më shumë se asnjëherë tjetër vihet në provë karakteri ynë”.

“Si mund të themi boll kur jemi duke vazhduar një luftë të egër në dy fronte për t’i fshirë të gjitha gjurmët e një tërmeti që do kishte gjunjëzuar një elefant, por që ne nuk na gjunjëzoi dhe për të dalë nga tuneli i një pandemie që gjunjëzoi gjithë botën. Por ama nga ku ne shqiptarët, Shqipëria që nuk jemi as ndër më të pasurit, as ndër më të zhvilluarit, as më të mëdhenjtë e këtij kontinenti sot jemi atje në fashën e parë bashkë me të tjerë që janë shumë më të mëdhenj se ne për ritmin e vaksinimit dhe shpejtësinë e daljes nga tuneli. Si mund të themi ne boll, si mund të dëgjojmë ne atë zërin e brendshëm që gjithmonë e shoqëron njeriun, çdo komunitet, çdo komb, në momente kur testohet karakteri, kur sprovohet vendosmëria, kur sfidohet kurajoja e durimi”, tha ai.

“E kemi bërë ne shqiptarët disa herë në historinë  tonë mëkatin e dëgjimit të këtij zëri të brendshëm që vjen përpara nesh përmes korrierësh që kanë trajta të ndryshme me kohë të ndryshme me emra të ndryshëm për arsye të ndryshme, port ë gjithë na ftojnë të bëjmë të njëjtën gjë të gjejmë rrugë të shkurtër, t’i shmangemi sfidës së vështirë, të mos vazhdojmë ngjitjen, por të fillojmë rrëshqitjen, të mos e shohim sfidën tonë në sy, por të bëjmë hile, të bëjmë skuthin. Kështu ka ndodhur kur kjo shoqëri shqiptare është sfiduar nga prova të forta në një moment të caktuar është dorëzuar duke ia lënë fatin në dorë këtyre lloj korrierëve”, – tha Rama./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.