INDI – Bilanci ditor më i lartë në botë i rasteve të reja dhe viktimave si pasojë e COVID-19

NJU DELHI, 21 prill /ATSH-AFP/ – India regjistroi më shumë se 2 000 të vdekur si pasojë e COVID-19 dhe rreth 300 000 raste të reja në 24 orë, bilanci ditor më i lartë në botë që prej fillimit të pandemisë.

Vendi i dytë më i populluar i planetit ka regjistruar më shumë se 182 000 të vdekur nga COVID-19 dhe 15,6 milionë raste duke e detyruar kryeministrin Narendra Modi të dalë për herë të parë në televizon që prej shpërthimit të shifrave.

Duke pranuar se India dhe 1,3 miliardë banorët e saj po përballeshin edhe një herë me një betejë të madhe, Modi u kërkoi bashkëpatriotëve të tij të bënin më shumë përballë koronavirusit për të shmangur kufizime të tjera në vend, në prag të një krize shëndetësore lidhur me valën e dytë epidemike.

“Situata ishte nën kontroll disa javë më parë dhe vala e dytë mbërriti si një uragan”, theksoi ai.

Këto javët e fundit janë shënuar nga grumbullime në masë.

Miliona persona kanë marrë pjesë në festivalet fetare hindu Kumbh Mela, grumbullimet politike, martesa dhe ngjarje sportive./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.