FRANCË – AI: Numri më i ulët i dënimeve me vdekje gjatë dekadës së fundit

PARIS, 21 prill /ATSH-AFP/ – Katër shtete të Lindjes së Mesme, me Iranin në krye kanë regjistruar një përdorim të pamëshirshëm dhe të frikshëm të dënimit me vdekje në 2020, pavarësisht pandemisë së COVID-19, duke dominuar bilancin botëror të ekzekutimeve, sipas një raporti të ”Amnesty International”, i publikuar sot.

Grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qendër në Londër, theksoi se kishte regjistruar 483 ekzekutime në 18 vende në 2020, një rënie me 26% në raport me 657 të regjistruara në 2019 dhe numri më i ulët i regjistruar gjatë dekadës së fundit.

Shifrat e Amnesty nuk përfshijnë Kinën, që sipas OJQ-së, mbetet e para në botë, me mijëra të vdekur çdo vit, por statistikat e të cilës janë klasifikuar si sekret shtetëror.

“Viti 2020 shënoi një rënie e mëtejshme botërore të dënimit me vdekje dhe, nëse pandemia e COVID-19 ka kontribuar në reduktimin e numrit të ekzekutimeve dhe dënimeve me vdekje të kryera, ajo ka përkeqësuar gjithashtu mizorinë në këtë dënim”, sipas raportit të Amnesty.

Pa llogaritur Kinën, 88% e ekzekutimeve të kryera kanë ndodhur vetëm në katër vende, Iran, Egjipt, Irak dhe Arabi Saudite, sipas të njëjtit burim.

Numri i ekzekutimeve të regjistruara në Lindjen e Mesme është ulur me 25%, për shkak të një rënieje me 85% në Arabinë Saudite dhe një reduktimi të ekzekutimeve me më shumë se përgjysmuar në Irak.

Megjithatë, raporti vë në dukje një rritje të konsiderueshme të ekzekutimeve të regjistruara në Egjipt, më shumë se trefishuar, nga 32 në 2019 në 107 në 2020.

Irani kreu të paktën 246 ekzekutime, duke ruajtur vendin e parë për sa i përket dënimeve me vdekje në rajon, dhe i dyti në botë pas Kinës.

Për Amnesty, në Iran dënimi me vdekje përdoret gjithnjë e më shumë si një armë e shtypjes politike kundër disidentëve, protestuesve dhe anëtarëve të grupeve etnike minoritare./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.