Finalizohet procedura/ Hapet rruga për zbatimin e projektit “Ndërtimi i linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut”

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Finalizohet procedura e cila i hap rrugë zbatimit të plotë të projektit “Ndërtimi i linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut”. Investimi, i cili financohet nga qeveria gjermane përmes bankës KfW, WBIF dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit përfshin ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë Thanës (Shqipëri-Maqedoni e Veriut), ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Fierit, ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 si dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.
Operatori i Sistemit të Transmetimit njofton se ka firmosur kontratën me kompaninë kontraktore për pjesën e projektit i cili përfshin ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier, ndërkohë që më herët është nënshkruar edhe kontrata që parashikon ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Qafë-Thanës.
Ky projekt i rëndësishëm do të bëjë të mundur përforcimin e lidhjeve interkonjektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar një sistem më të sigurt dhe të besueshëm, por edhe kushtet e duhura për shkëmbimet tregtare dhe tranzitimet në rajon pa asnjë kufizim.
Gjithashtu, ky investim do të ketë ndikim në zhvillimin e rrjetit 400 kV në zonën e Shqipërisë së Jugut, si dhe i përgjigjet investimeve të cilat parashikohen të realizohen në të ardhmen për zhvillimin e energjisë së rinovueshme si dhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.