“Fëmijët mësojnë me librat e Oxford e Cambridge”/ Kemi vendosur themelin ku askush nuk parakalohet dot për të hyrë në Universitet

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kjo qeveri ka vendosur themelin e një rruge ku askush nuk parakalohet dot për të hyrë në universitet.

Duke folur në një takim me qytetarë të njësisë 2 në Tiranë, Rama tha se, “unë ju them votuesve të parë një gjë shumë të thjeshtë”.

“99.99 % e juaja i keni prindërit e panjohur. I keni prindërit njerëz të zakonshëm që me shumë sakrifica ju mbajnë dhe me shumë sakrifica duan që të shkoni në Universitet. I keni prindërit që nuk kanë mundësi të paguajnë”, tha Rama.

“Ne e kemi vendosur për ju, themelin e një rruge ku askush prej jush nuk parakalohet dot për të hyrë në Universitet nga djali i një ministri, nga vajza e një politikani, nga fëmijët e një biznesmeni sepse kush e meriton i pari, hyn i pari. Por të jeni të bindur të gjithë ju votuesit e parë, të gjithë, pavarësisht se jeni në familje të majta, të djathta, se vota tjetërkund përveçse tek 12-a është votë kundër vetes, sepse do ta prishin atë sistem që ka mundësuar që prej kaq vitesh të mos kemi më asnjë ankesë për hyrjet në Universitet sepse është i gjithë sistemi jashtë kontrollit të robit”, tha Rama.

“As unë, asnjë ministër, asnjë deputet jo e jo, askush nuk e fut dot një nxënës pa meritë në një Fakultet. Pse? Sepse të tjerët e shohin dhe të tjerët e dinë nga sistemi që iu del në telefon që ky nuk është këtu. Nga erdhi ky? Kujt ia zuri vendin? Është e pamundur”, u shpreh Rama.

“Të votosh tani që ta rihapësh rrugën e shkurtër që të nxjerr gjatë, duke qenë fëmija e një prindi që nuk ka akses do të thotë t’i biesh vetes. Ndërsa të mos votosh do të thotë të bësh një gabim fëminor. Ideja që unë s’po votoj dhe këta të bëjnë çfarë të duan është ideja më idiote. Sepse voton ti, s’voton ti. Merresh ti, s’merresh ti. Do t’ia dish ti, s’do tja dish ti për politikën, politika merret me ty gjatë gjithë ditës, sepse janë vendimet e politikës që e përcaktojnë rrugën e vendit dhe rrugën tënde dhe të sektorit ku ti je. Janë vendimet e politikës bëjnë që nxënësit e shkollave në Shqipëri, ose të shkojnë në shkollë të mësojnë me librat e Fahri Balliut, e të Bari Falliut siç mësonin deri dje. Ose të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë me librat e Oxfordit, e Cambridge, e Pearson-it, siç mësojnë sot. Janë vendimet e politikës që i hapin Universitetet për t’i rrjepur prindërit e për t’ju dhënë fëmijëve diploma false, diploma pa vlerë duke i gënjyer të gjithë me iluzionin se do të bëhen të gjithë juristë e pastaj ngelen të gjithë papunë kafeneve. Dhe janë vendimet e politikës që i thonë stop atyre Universiteteve dhe që i hapin rrugë meritës për të shkuar në Universitet”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.