“Deri sa erdhëm ne në pushtet ishte në mëshirë të fatit”/ Një nga investimet më të bukura të Mesdheut do bëhet në Parkun e Divjakës

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në bregdetin e Divjakës do të bëhet një nga investimet më të bukura të Mesdheut, në harmoni me natyrën për të krijuar vende pune cilësore për ata që shërbejnë në këto infrastruktura pa e cenuar, por duke e ekzaltuar Parkun Kombëtar”.

Në një takim me banorë të Lushnjës, Rama tha se e gjithë ajo vijë bregdetare është pjesë e këtij projekti të madh, por jo si ajo e Durrësit, ku do bëjmë portin më të madh turistik të Mesdheut.

Parku Kombëtar i Divjakës është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, i cili derisa sa erdhëm ne në pushtet, ishte në mëshirë të fatit.

“Po për ato kafshët e parkut do t’i lini në dorë të atyre? Speciet e Parkut Kombëtar i tmerruan. Pelikanë, zogj e lepuj i bënë copash. Sot është kthyer jeta në Parkun Kombëtar. Sot Parku Kombëtar është bërë një vend ku numri i vizitorëve rritet e rritet. Në atë Park Kombëtar çdo ditë do të dëgjohen dhjetëra gjuhë të botës”, tha Rama.

Njerëzit e këtij vendi, tha Rama, do të jenë aty mikpritës krenarë të turistëve dhe gjithë këto produkte do të shërbejnë për këtë industri të madhe turizmi që do krijohet.

“Ne nuk duam të bëhemi fuqia e shtatë e botës në turizëm dhe t’i zëmë vendin Kroacisë, por ne do të bëhemi një fuqi në mënyrë që dielli të arrijë të ngroh çdo shtëpi shqiptare dhe ekonomia e çdo shtëpie shqiptare, me kushtin që puna të jetë emëruesi, të rritet. Një rritje ekonomike e fuqishme për çdo shqiptar që beson te puna, i majtë, i djathtë, i moshuar, i ri”, tha Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.