COVID-19 – Organizatorët shtyjnë vendimin për kapacitetin e tifozëve në Lojërat Olimpike

TOKIO, 21 prill /ATSH-DPA/ – Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios kanë shtyrë vendimin se sa spektatorë do të lejohen të marrin pjesë, për shkak të situatës së rëndë epidemiologjike në vendi, njoftoi sot kreu i organizimit, Seiko Hashimoto.

Komiteti organizues ka të ngjarë të marrë vendimin në qershor, në vend që të hartojë një politikë themelore mbi kapacitetin deri në fund të prillit.

Në mars, organizatorët vendosën që spektatorët nga jashtë shtetit të ndalohen të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, këtë verë, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, u tha gazetarëve se “qyteti olimpik pritës po konsideron të kërkojë nga qeveria qendrore të shpallë një gjendje tjetër emergjente COVID-19, në mes një rigjallërimi të infeksioneve”.

Tokio konfirmoi 843 infeksione të reja sot, numri më i lartë i rasteve në gati tre muaj.

Qeveria qendrore mund të shpallë një gjendje të tretë të jashtëzakonshme në prefekturat e Tokios, Osakës dhe Hyogos, njoftoi media lokale.

Një sondazh i kryer nga agjencia e lajmeve Kyodo tregoi javën e kaluar 72 përqind e të anketuarve në Japoni duan që Lojërat Olimpike të anulohen ose të riplanifikohen, për shkak të pandemisë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.